Ish-gjenerali sirian i akuzuar për krime lufte gjen strehë në Liban me pëlqimin e SHBA-së

Një ish-gjeneral sirian, i cili kërkohet për krime kundër njerëzimit dhe ka lidhje me programin e armëve kimike të Sirisë, po qëndron në Liban me mbështetjen financiare dhe mbrojtje nga autoritetet libaneze dhe ato amerikane, sipas një investigimi të BBC-së.

Të lidhura

None found

Bëhet fjalë për Bassam al-Hassan, dikur këshilltar i lartë i presidentit Bashar al-Assad, i cili besohet se u zhvendos në Liban pas rrëzimit të regjimit në vitin 2024.

Hetimi i përbashkët i BBC-së dhe rrjetit amerikan NPR zbulon se Hassan është lejuar të qëndrojë në Liban në bazë të një marrëveshjeje që përfshin FBI-në dhe organe të tjera të sigurisë amerikane e libaneze. Arsyeja kryesore e kësaj marrëveshjeje duket se është gatishmëria e tij për të ndarë informacione rreth fatit të gazetarit amerikan Austin Tice, i rrëmbyer në Siri në vitin 2012, si dhe të dhëna të tjera inteligjence.

Muajin e kaluar, BBC raportoi se rrëmbimi i Tice kishte qenë një operacion i organizuar paraprakisht dhe se Hassan kishte luajtur rol në zinxhirin e komandës.

Zyrtarë nga dy institucione të ndryshme të qeverisë së re siriane i kanë konfirmuar BBC-së se kërkojnë ekstradimin e Hassan në Siri për t’u gjykuar. Sipas tyre, Uashingtoni insiston që ai të mbetet në Liban, ndërsa Damasku ka fare pak fuqi për të ndikuar në këtë vendim.

BBC u drejtua për koment te FBI-ja, CIA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Libanit. Vetëm FBI-ja u përgjigj, por nuk pranoi të diskutojë gjetjet specifike, duke iu referuar një deklarate të mëparshme që theksonte se prioriteti i saj është sqarimi i fatit të Tice dhe sigurimi i kthimit të tij.

Dokumentet e shqyrtuara nga BBC tregojnë se gjatë një takimi mes Hassan, përfaqësuesve të FBI-së e CIA-s dhe zyrtarëve libanezë, atij iu premtuan “strehim”, “mbrojtje” dhe ndihmë për shpenzimet e jetesës në shkëmbim të informacionit, kryesisht për çështjen Tice.

Burime të afërta me marrëveshjen pohuan se Hassan merr fonde nga autoritetet amerikane nëpërmjet një ndërmjetësi, që e bën më të vështirë gjurmimin e transaksioneve. Hassan ndodhet gjithashtu në listën e sanksioneve të qeverisë amerikane.

Hassan u ka deklaruar hetuesve amerikanë se Austin Tice ishte ekzekutuar me urdhër të ish-presidentit Bashar al-Assad. Megjithatë, disa persona të përfshirë në hetim kanë shprehur dyshime mbi saktësinë e këtyre pretendimeve.

Ai ka treguar gjithashtu një vend të mundshëm ku mund të ndodheshin eshtrat e Tice. Por kërkimet në atë zonë nuk dhanë asnjë rezultat, duke hedhur pikëpyetje mbi besueshmërinë e disa prej informacioneve të tij.

Dy burime kanë pretenduar se autoritetet amerikane i ndërprenë gërmimet para se kërkimi të përfundonte, ndoshta për arsye sigurie.

Phil Elwood, zëdhënës i familjes së Austin Tice, e quajti situatën shqetësuese dhe tha se nëse raportimet janë të vërteta, është e papranueshme që paratë e taksapaguesve amerikanë të përdoren për të mbajtur një person të lidhur me armët kimike kundër civilëve sirianë.

Hetimi i BBC-së sugjeron se Hassan nuk është rasti i vetëm i një ish-zyrtari të regjimit sirian, i implikuar në çështjen Tice, që ka marrë pagesa ose ndihmë për të jetuar jashtë vendit.

Një ish-anëtar i regjimit ka pohuar se ka marrë disa pagesa nga FBI-ja në këmbim të bashkëpunimit për rastin Tice. Një tjetër ish-zyrtar, i përfshirë në këtë çështje, tha se jeton në Liban nën “patronazhin” e autoriteteve amerikane.

Ndërkohë, disa persona të tjerë të lidhur me rrëmbimin e gazetarit amerikan besohet se ndodhen në Liban ose në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Austin Tice, ish-marins amerikan dhe gazetar i pavarur, u rrëmbye në Damask në gusht 2012. Fati dhe vendndodhja e tij ende mbeten të panjohura.


Shtuar më 8.10.2026 08:47