Flet Vasil Ruci, vlonjati që i shënoi Barcelonës: Manaj po bën histori, duhet të hyjë si i uritur në fushë.
Ish-futbollisti vlonjat që shënoi asokohe kundër Barcelonës, Vasil Ruci, ka folur sot në lidhje me transferimin e lojtarit shqiptar Rei Manaj tek Barcelona.
Ai ka thënë se ky do të bëhet shqiptari i parë që luan në një ekip kaq të madh për nga lavdia siç është skuadra katalanase.
“Duhet të kishe fat të madh. Ky fat i ra Manajt”. Kështu përgjigjet Vasil Rusi, teksa pyetet nëse do të kishte shanse që në kohën e tij ta blinte Barcelona.
Ruci e shikon si një familje të madhe që i trajton shumë mirë futbollistët klubin katalanas, prandaj këshillon Manajn të japë maksimumin e tij për veten dhe Kombëtaren shqiptare.
Ish-bomberi që gjunjëzoi Barcelonën në Vlorë në 1986-ën, thotë ndër të tjera se Flamurtari dhe ekipet e tjera shqiptare kishin talente të mëdha në periudhën e viteve ‘80-’90. Sipas tij, ata bën mirë kudo ku shkuan në Europë, por ecurinë e karrierës së tyre e lidh me fatin.
Dikur mposhtnit Barcelonën, ndërsa tani mbi 30 vite më pas Rei Manaj, i lindur në Lushnjë, luan për fanellën e këtij klubi të madh. Çfarë keni menduar pasi keni parë sulmuesin në fushë?
Më vjen shumë mirë për këtë djalë të ri dhe dua t’i uroj shumë suksese Rei Manajt. Është një njeri dhe djalë me shumë fat. E para që dua të them, patjetër që na krijon nostalgji. E dyta, do të na pëlqente shumë që një djalë nga Shqipëria të luante me Barcelonën. Tani, këtë ekip do ta shohim edhe me më shumë kënaqësi dhe kureshtje.
Mendoni se Rei mund të bëjë mirë te Barcelona?
Barcelona është klub që të rrit. Rei duhet të hyjë në fushë si një njeri i uritur që nuk do të njohë kundërshtar. Kjo gjë vlen për atë vetë dhe për kombëtaren tonë./albeu.com/