Një sulm me thikë në stacionin Duomo të metrosë në Milano ka lënë të plagosur rëndë një 23-vjeçare.
Të lidhura
None found
Në pranga ka përfunduar një 27-vjeçar me origjinë algjeriane, ndaj të cilit autoritetet italiane kanë ngritur akuza për shkaktim të shëmtimit të përhershëm të fytyrës, plagosje të rëndë dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Sipas verifikimeve të para, episodi u regjistrua pasditen e së enjtes në platformën e linjës M3. I dyshuari iu afrua vajzës së re, duke e akuzuar se po e shikonte, dhe pas një shkëmbimi fjalësh e goditi fillimisht me grusht. Më pas, ai nxori një thikë të vogël dhe e goditi, duke i shkaktuar një prerje të thellë që shtrihej nga cepi i gojës deri në qafë. Mjekët janë duke përcaktuar nëse dëmtimet do të jenë të përhershme.
Dëshmitarët kanë treguar se gjatë konfliktit i dyshuari i është drejtuar viktimës me fjalët: “Ti je grua. Unë jam burrë dhe mysliman. Nuk duhet të më shikosh.”
Këto deklarata po analizohen nga hetuesit, të cilët po përpiqen të kuptojnë nëse sulmi mund të ketë qenë i nxitur nga urrejtja ndaj grave ose nga motive fetare.
Menjëherë pas ngjarjes, autori u largua nga zona, por disa minuta më vonë u kap nga patrullat e Policisë Lokale në Via Torino, disa qindra metra larg stacionit të metrosë.
Nga hetimet ka dalë se i njëjti person ishte ndaluar në orët e para të mëngjesit të po asaj dite për tentativë vjedhjeje të rëndë. Pas një procedure të përshpejtuar gjyqësore, ai ishte liruar me masën e ndalimit të qëndrimit në Milano, por vetëm pak orë më pas dyshohet se realizoi sulmin në metro.
