Një rast i rëndë abuzimi në SHBA ka mbërritur para drejtësisë. Një 57-vjeçare akuzohet se e mbajti djalin e bashkëshortit të izoluar për më shumë se 20 vjet, pa ushqimin, ndihmën mjekësore dhe kushtet elementare të nevojshme për të jetuar.
Të lidhura
None found
Burri 34-vjeçar arriti të shpëtonte më 17 shkurt 2025, pasi i vuri flakën banesës ku mbahej. Përpara autoriteteve, ai shpjegoi se ndezja e zjarrit ishte e vetmja rrugë që kishte për t’u çliruar.
“Doja lirinë time”, u tha ai policëve. Sipas rrëfimit të tij, për të shkaktuar zjarrin përdori letër printeri, dezinfektues duarsh dhe një çakmak.
Ai dëshmoi se qëndronte i kyçur nga 22 deri në 24 orë çdo ditë në një hapësirë prej vetëm 6.7 metrash katrorë. Vitin në të cilin ndodhej e mësonte vetëm përmes radios, ndërsa në momentin e zbulimit dhoma ishte e mbuluar nga papastërtitë.
Hetuesit bënë të ditur se 34-vjeçari, identiteti i të cilit është publikuar vetëm me inicialin “S”, ishte 1.68 metra i gjatë dhe peshonte vetëm 34 kilogramë.
Sipas policisë, për më shumë se dy dekada ai ishte mbajtur si rob dhe ishte përballur me uri, keqtrajtim të vazhdueshëm, neglizhencë të rëndë dhe kushte çnjerëzore.
Racioni i tij i zakonshëm përbëhej nga një ose dy sanduiçe në ditë. Në raste të tjera, për të mbijetuar, ai detyrohej të ushqehej me mbeturina të gjetura në koshat e plehrave dhe të pinte ujë nga tualeti.
Sipas 34-vjeçarit, kushtet e izolimit u përkeqësuan më tej pasi babai i tij biologjik vdiq në vitin 2024. Ai pohoi se nuk guxonte të kërkonte ndihmë, pasi kërcënohej se do të lihej pa ngrënë ose do të mbyllej për periudha edhe më të gjata.
Ditët i kalonte duke dëgjuar radion ose duke numëruar automjetet që lëviznin në rrugë, u tregoi ai hetuesve. Flokët i priste vetë, prej vitesh nuk ishte larë dhe nuk kishte marrë kurrë shërbim te dentisti.
Për kryerjen e nevojave fiziologjike përdorte shishe plastike dhe gazeta. Ai kishte krijuar gjithashtu një mekanizëm të improvizuar për ta nxjerrë urinën jashtë nëpërmjet dritares.
Në dëshminë e tij, 34-vjeçari deklaroi se babai dhe dy motrat e dinin çfarë po ndodhte, por nuk bënë asgjë për ta ndihmuar. Sa herë që në banesë kishte vizitorë, ai kërcënohej që të qëndronte në heshtje.
“Më mbajtën të fshehur gjithë jetën time”, u rrëfeu ai hetuesve.
Autoritetet thonë se sinjalizimi i parë për familjen ishte bërë në vitin 2005, kur shkolla ku mësonte djali shprehu shqetësim për gjendjen e tij.
Tom Panone, drejtori i shkollës fillore që frekuentonte fëmija, tha se punonjësit kishin konstatuar dobësinë e tij të theksuar. Ata kishin vërejtur gjithashtu se ai vidhte shpesh ushqime ose kërkonte për të ngrënë në koshat e plehrave.
“E dinim se diçka ishte tmerrësisht e gabuar. E raportuam, por nuk u ndërmor asgjë”, deklaroi Panone.
Duke nënvizuar natyrën jashtëzakonisht çnjerëzore të trajtimit, prokurorët e krahasuan pamjen dhe gjendjen e 34-vjeçarit me atë të një personi që kishte mbijetuar në kampin e përqendrimit të Aushvicit.
Kimberly Sullivan, 57 vjeçe, ka hedhur poshtë çdo akuzë ndaj saj. Përfaqësuesi i saj ligjor, Ioannis Kaloidis, i përshkroi pretendimet si “skandaloze” dhe “të pavërteta”, duke bërë të qartë se klientja e tij nuk do të pranojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 4 shtator. Në rast se gjykata e gjen fajtore, Sullivan rrezikon një dënim të rëndë me burg.
