Aktgjykimi i arsyetuar: Vrasja e Liridona Ademajt u paraqit si grabitje, synimi ishte përfitimi pasuror

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa Kushtrim Kokallës i është shqiptuar dënimi me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt. Në aktgjykimin e arsyetuar thuhet se krimi ishte planifikuar dhe ishte paraqitur si grabitje, ndërsa në themel të tij qëndronin përfitimi financiar nga polisa e sigurimit të jetës dhe motivet personale të Murselit.

Të lidhura

None found

Vendimi dënues ndaj tre të akuzuarve u shpall më 21 prill 2026, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i gjeti fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt. Aktgjykimi i arsyetuar për këtë çështje u publikua nga Gjykata më 6 korrik 2026.

Në dokumentin e datës 6 korrik 2026, Gjykata vlerëson se është dëshmuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Naim Murseli kishte planifikuar ta largonte Liridonën nga jeta e tij për shkak të marrëdhënieve të dëmtuara familjare e martesore, mllefit dhe dëshirës për hakmarrje. Pas 25 qershorit 2022, kur në emër të Liridona Ademajt ishte paguar polisa e sigurimit të jetës në vlerë prej 3,000,000 kronash suedeze, ai, përveç vrasjes, kishte synuar edhe përfitim financiar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për realizimin e këtij plani, Murseli i ishte drejtuar Kushtrim Kokallës dhe i kishte kërkuar të gjente një mënyrë për vrasjen e saj. Kokalla fillimisht nuk kishte pranuar, por më vonë kishte gjetur Granit Plavën dhe e kishte lidhur atë me Naim Murselin. Sipas konstatimeve të Gjykatës, të tre kishin arritur marrëveshje që vrasjen ta kryente Plava, kundrejt 30,000 eurove që do t’ia paguante Murseli.

Më 29 nëntor 2023, Naim Murseli kishte siguruar një armë zjarri të markës “Zastava”, të blerë nga i akuzuari Tom Dodaj për 280 euro. Arma më pas i ishte dhënë Granit Plavës, i cili e kishte përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt.

Ngjarja ishte realizuar po atë ditë, ndërmjet orës 20:11 dhe 20:18, në vendin që ishte caktuar paraprakisht me Murselin dhe ku krimi ishte inskenuar si grabitje. Aktgjykimi përshkruan se Naim Murseli, në mënyrë dinake, e kishte kapur të ndjerën Liridonë me dorën e djathtë për krahun e saj të majtë, me synimin që ajo të mos mund t’i shmangej plumbit. Pas kësaj, ai kishte dalë nga automjeti bashkë me fëmijët dhe ishte larguar.

Gjykata ka arritur në përfundimin, përtej dyshimit të bazuar mirë, se Granit Plava kishte vepruar në përputhje me marrëveshjen e bërë më parë me Naim Murselin. Më 29 nëntor 2023, nga ora 20:11 deri në 20:18, në rrugën “Dalip Alshiqi”, në lagjen “Chelsea Point” të fshatit Bërnicë, Komuna e Prishtinës, Murseli i kishte dhënë shenjë Plavës me dritat e veturës së tij BMW. Plava më pas kishte dalë përpara automjetit, me maskë në kokë dhe me pistoletë në duar.

Në atë moment, Murseli e kishte ndalur veturën, e kishte fikur motorin dhe vazhdonte ta mbante Liridonën me dorë për krahun e majtë. Për shumën e premtuar prej 30,000 eurosh, Granit Plava kishte qëlluar nga afërsia me një fishek, drejtpërdrejt përmes dritares gjysmë të hapur në anën e pasagjerit. Plumbi e kishte goditur Liridonën në kokë, prapa veshit të djathtë, ndërsa ajo kishte vdekur në vend si pasojë e plagëve.

Në aktgjykim është konstatuar gjithashtu se Plava e kishte mbajtur pa leje dhe në kundërshtim me ligjin armën “Zastava”, së bashku me 19 fishekë të kalibrit 6 mm, nga 29 nëntori 2023, rreth orës 14:00, deri më 1 dhjetor 2023, rreth orës 16:15. Në këtë orar ishte zhvilluar bastisja në shtëpinë e tij në fshatin Cërmjan, Komuna e Gjakovës. Sipas aktakuzës, krimi ishte kryer pikërisht me këtë armë, të cilën Naim Murseli e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro.

Sa i përket rolit të Kushtrim Kokallës, vendimi përsërit se ai në fillim e kishte refuzuar kërkesën e Murselit për të gjetur një mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt. Më pas, Kokalla kishte kontaktuar Granit Plavën, e kishte prezantuar me Murselin dhe të tre ishin marrë vesh që ekzekutimin ta bënte Plava.

Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Kushtrim Kokalla, ndonëse kishte njohuri për veprën penale, nuk i kishte njoftuar organet kompetente për autorët ose për vrasjen. Planifikimi i krimit ishte bërë me pjesëmarrjen e tij aktive, së bashku me Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa rasti fillimisht ishte hetuar nga autoritetet si grabitje.

Në shqyrtimin e elementeve juridike të veprës penale, Gjykata i është referuar nenit 173, paragrafit 1, nënparagrafit 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për veprën “Vrasje e rëndë”. Ky nënparagraf përcakton: “Privon nga jeta anëtarin e familjes”. Për këtë formë të vrasjes kërkohet që viktima të jetë anëtare e familjes së kryerësit, kusht që në rastin konkret plotësohej, pasi Naim Murseli dhe viktima ishin bashkëshortë.

Gjykata ka trajtuar edhe nënparagrafin 1.4, ku përcaktohet: “Privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake”. Ky formulim përfshin kryerjen e vrasjes në mënyrë mashtruese, dinake dhe me qëllim të keq, duke shfrytëzuar besimin e veçantë të viktimës, në mënyrë që ajo të privohet nga jeta pa rezistencë ose me rezistencë minimale.

Nënparagrafi 1.6 i të njëjtit nen përcakton: “Privon nga jeta personin tjetër me qëllim të fitimit të dobisë pasurore”. Ky element konsiderohet i përmbushur edhe kur autori synon përfitim material, është i vetëdijshëm se do të shkaktojë vdekjen dhe pajtohet me ndodhjen e saj.

Lidhur me dashjen, në vendim thuhet: “Në këtë çështje penale, dashja jo vetëm që ka qenë e drejtpërdrejtë, por ajo ka qenë e një niveli mjaft të lartë. Kjo për faktin se ajo është mirë menduar dhe mirë përgatitur dhe në fund është përfunduar pa asnjë vështirësi, duke e lënë të vdekur në vend një viktimë të re, madje në sytë e fëmijëve të saj të vegjël.”

Gjykata e ka konsideruar të besueshme edhe dëshminë e të dëmtuarit-dëshmitarit L.A., përmes së cilës, sipas saj, është dëshmuar se Naim Murseli e kishte kryer me dashje dhe paramendim veprën penale që i ngarkohej. Në aktgjykim theksohet se Murseli i kishte ndërmarrë veprimet dinake pa treguar dhembshuri apo pendesë. Si tregues për këtë përmendet fakti se pas ekzekutimit të Liridona Ademajt ai kishte shkuar në hotelin “Swiss Diamond”.

Për përcaktimin e gjendjes faktike, trupi gjykues është mbështetur edhe te deklarimi i ekspertit Dr. Naim Uka. Nga kjo dëshmi është vërtetuar se Liridona Ademaj, pak para vrasjes, ishte mbajtur me forcë dhe në mënyrë dinake për krahun e majtë, në mënyrë që të mos mund t’i shmangej plumbit.

Si provë e besueshme është pranuar edhe Raporti informues i 27 dhjetorit 2023. Dokumenti përmban deklarata, kërkesa të ndryshme, urdhëresa, procesverbale nga marrja në pyetje e të akuzuarve dhe dëshmitarëve, si dhe mesazhe e raporte forenzike për këtë çështje penale. Pjesë e raportit janë edhe komunikimet që Naim Murseli ia kishte dërguar Granit Plavës përmes aplikacionit WhatsApp.

Nga një video/audio-incizim ishte veçuar segmenti kohor në të cilin dëgjohej shkrepja e armës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, incizimi dëshmon qartë se në vendin e ngjarjes ishte dëgjuar vetëm një e shtënë, e cila përputhej me vrasjen e Liridona Ademajt. Gjithashtu, Murseli kishte pranuar se e kishte blerë armën me të cilën më pas ishte vrarë Ademaj.

Vendimi i referohet edhe raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. Sipas tij, gjurmët biologjike të gjetura në këtë çështje penale nuk përputheshin me asnjë prej profileve të regjistruara në bazën e të dhënave të ADN-së, ndërsa autorë të krimit janë të akuzuarit Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Pretendimet e Prokurorisë janë cilësuar nga Gjykata si të bazuara dhe të drejta, pasi janë vlerësuar në përputhje me faktet e përcaktuara. Gjykata ka konstatuar se marrëveshjen dhe përgatitjet për veprën penale i kishin bërë Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla, kurse Granit Plava e kishte kryer vrasjen në këmbim të shpërblimit të premtuar nga Murseli.

Në të kundërt, argumentet e mbrojtësve të të akuzuarve janë vlerësuar si kundërthënëse, të paqëndrueshme dhe të papajtueshme me provat materiale. Sipas aktgjykimit, ato qëndrojnë larg logjikës juridike dhe duken më shumë si përpjekje për shtrembërimin e fakteve sesa si synim për zbulimin e së vërtetës. Gjykata ka vlerësuar se provat materiale dhe personale kanë identifikuar drejtpërdrejt veprimet individuale të secilit të akuzuar dhe kanë dëshmuar fajësinë e tyre për veprat penale që u ngarkohen.

Për rrjedhojë, trupi gjykues ka konstatuar se veprimet e të akuzuarve përmbajnë të gjitha elementet e veprave penale për të cilat ata akuzohen. Ata janë shpallur penalisht përgjegjës, pasi nuk është gjetur asnjë bazë ligjore që do ta përjashtonte përgjegjësinë e tyre për bashkëkryerjen e këtyre veprave.

Sipas aktakuzës, Naim Murseli e kishte organizuar vrasjen për motive personale, Granit Plava kishte kryer ekzekutimin, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte luajtur rolin e ndërmjetësuesit.

Mbrojtja i kishte kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se mungonin provat e drejtpërdrejta dhe duke kërkuar që vendimi të mbështetej vetëm në prova konkrete. Edhe të akuzuarit e kishin mohuar përfshirjen e tyre në vrasje.

Në fjalët përfundimtare, familjarët e viktimës kishin kërkuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohej dënimi maksimal.


Shtuar 1.08.2026 19:36

holiganbetJojobetHoliganbet girişHoliganbetHoliganbetGrandpashabetGrandpashabetJojobetHoliganbetHoliganbetJojobetjojobet güncel girişcratosroyalbetganobetultrabetmatbetsultanbeyli escortiptv satın algrandpashabetHoliganbetAnkara escortcasibomjojobetbetciocasibom girişAnkara escort