Policia e Kanadasë ka bërë disa arrestime dhe ka lëshuar nëntë urdhërarreste lidhur me vjedhjen më të madhe të arit në historinë e vendit.
Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit 2023 ku janë vjedhur më shumë se 6,500 shufra ari me vlerë prej 14,5 milionë dollarë nga Aeroporti “Pearson” i Torontos, së bashku me miliona dollarë para kesh.
Policia ka thënë se grabitja e stilit të “serialeve Netflix” u ekzekutua nga një “grup i organizuar mirë kriminelësh”. Hetimi është në vazhdim, raporton BBC.
Njoftimi të mërkurën nga Policia Rajonale Kanadeze “Peel” dhe Byroja e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të Zjarrit të SHBA-së erdhi saktësisht një vit pas grabitjes masive të arit, që thuhet se është e gjashta më e madhja në botë.
Hetimi i përbashkët njëvjeçar u quajt “Projekti 24K”. Ai ka përfshirë dhjetëra urdhra kërkimi dhe intervista.
Deri më tani, policia ka gjetur 90,000 dollarë kanadezë “ari të pastër”, të modeluar në gjashtë byzylykë.
Ata konfiskuan gjithashtu tenxhere shkrirjeje dhe kallëpe, si dhe 430,000 dollarë kanadezë para të gatshme që policia tha se ishin fitimet e shitjeve të arit.
Në shtator, policia e Pensilvanisë ka arrestuar një burrë kanadez ilegal në SHBA, për të cilin ata pretendojnë se ishte shoferi i bandës.
Burri, i quajtur nga policia si Durante King-McClean, 25 vjeç, u ndalua në Filadelfia për një shkelje të trafikut dhe gjatë kontrollit në makinën e tij u zbuluan armë zjarri.