Mbi 55.432 palestinezë janë vrarë që nga tetori 2023 nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë. Vetëm në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 68 viktima të reja dhe 182 të plagosur, duke e çuar totalin e të lënduarve në 128.923 persona.
Shumë trupa mbeten ende nën rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk arrijnë dot në zonat e bombarduara për shkak të intensitetit të sulmeve.
Që nga rifillimi i ofensivës më 18 mars, ushtria izraelite ka vrarë mbi 5.100 persona dhe ka plagosur gati 17 mijë të tjerë, në shkelje të armëpushimit të shpallur në janar.
Ndërkohë, Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, janë subjekt i urdhërarresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Shteti i Izraelit përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.