Ekspertët: Shanset që Trump të fitojë Çmimin Nobel për Paqen janë të pakta

Përpjekja e presidentit amerikan, Donald Trump për të fituar Çmimin Nobel për Paqe ka tërhequr vëmendje të madhe ndaj “lojës” vjetore të hamendësimeve për fituesin e ardhshëm të këtij çmimi.

Vëzhguesit e vjetër të Nobel-it thonë se shanset e Trump për të fituar mbeten të vogla, pavarësisht disa nominimeve me profil të lartë dhe ndërhyrjeve të tij në politikën e jashtme, për të cilat ai ka marrë merita personale.

Ekspertët theksojnë se Komiteti Norvegjez i Nobelit zakonisht fokusohet në qëndrueshmërinë e paqes, promovimin e vëllazërisë ndërkombëtare dhe në punën e heshtur të institucioneve që forcojnë këto synime.

Sipas tyre, rekordi i Trump, mund të jetë një pengesë, për shkak të qëndrimit të tij ndaj çështjeve të ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, lideri amerikan ka kërkuar shpesh vëmendjen lidhur me Nobel-in që nga mandati i tij i parë, duke u thënë delegatëve të Kombeve të Bashkuara, muajin e kaluar se “të gjithë mendonin se ai duhej ta fitonte Çmimin Nobel për Paqe.”

Fushatë publike, por vendim privat

Një individ nuk mund të nominojë veten për çmimin. Ndërsa nominimet dhe deklaratat publike e bëjnë presidentin Trump një emër të bujshëm në listat e të preferuave, mbetet e paqartë nëse emri i tij përmendet vërtet kur pesë anëtarët e komitetit norvegjez, të emëruar nga parlamenti, mblidhen me dyer të mbyllura.

Trump është nominuar disa herë nga shumë figura të njohura në SHBA dhe politikanë të huaj që prej vitit 2018.

Zyra e kongresmenes amerikane, Claudia Tenney (R-NY) njoftoi se ajo e kishte propozuar Trump sërish në dhjetor, për rolin e tij në marrëveshjet “Abraham Accords”, të cilat normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe në vitin 2020.

Nominimet e bëra këtë vit nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe nga qeveria e Pakistanit u bënë pas afatit të 1 shkurtit për çmimin e vitit 2025.
Trump ka thënë disa herë se “e meriton” Nobel-in dhe pretendon se ka i ka dhënë fund shtatë luftërave.

Javën e kaluar, ai tha se mund t’i jepte fund edhe “një lufte të tetë” nëse Izraeli dhe Hamasi pranonin planin e tij të paqes në Gaza.

“Askush nuk ia ka dalë ta bëjë këtë”, tha Trump në një takim me ushtarakët në bazën e Marinës në Quantico, Virxhinia.

I pyetur nëse do të nderohej me Çmimin Nobel, Trump tha: “Absolutisht jo. Ata do t’ia japin dikujt që s’ka bërë asgjë”.

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord sot për fazën e parë të planit të paqes në Gaza, që parashikon ndaljen e luftimeve dhe lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, familjarë të pengjeve dhe mbështetësit e tyre në Tel Aviv filluan të brohorisnin “Çmim Nobel për Trump”.

Komiteti vlerëson përpjekjet e qëndrueshme, jo fitoret e shpejta

Ekspertët e Nobel-it theksojnë se komiteti i jep prioritet përpjekjeve të qëndrueshme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në vend të suksesit të menjëhershëm diplomatik.

“Ka një ndryshim të madh midis ndalimit të përkohshëm të luftimeve dhe zgjidhjes së shkaqeve të konfliktit”, tha historiani, Theo Zenou nga shoqata “Henry Jackson Society”.

Zenou shtoi se qëndrimi i Trump ndaj çështjeve klimatike ishte në kundërshtim me atë që shumë njerëz, përfshirë komitetin e Nobel-it, e konsideronin si sfidën më të madhe të paqes në planin afatgjatë.

“Nuk mendoj se ata do t’ia japin çmimin më prestigjioz në botë dikujt që nuk beson në ndryshimet klimatike,” tha ai.

Komiteti i Nobel-it u përball me kritika të ashpra në vitin 2009, kur ia dha çmimin ish-presidentit, Barack Obama – vetëm nëntë muaj pas nisjes së mandatit të tij.

Shumë prej tyre argumentuan se Obama nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të pasur një ndikim të tillë.

“Ndërsa vetë-reklamimi i Trump për çmimin mund të ndikojë negativisht, komiteti nuk ka gjasa t’i nënshtrohet presionit politik”, tha Nina Græger, drejtoreshë e Institutit Norvegjez të Kërkimeve për Paqe (PRIO).

“Shanset e Trump për çmimin Nobel, këtë vit janë të vogla. Retorika e tij nuk të jep përshtypjen e një perspektive paqësore”, tha ajo.

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen do të shpallet nesër


Shtuar 9.10.2025 15:56