Ecën bashkë gjatë ceremonisë, por çfarë ndodhi pas funeralit me William dhe Harry-n?

Princ Harry u rikthye në Mbretërinë  e Madhe disa ditë më parë për t’i dhënë lamtumirën e fundit gjyshit të tij, Princit Philip. Gjatë funeralit në 17 prill, Harry u shfaq duke ecur në të njëjtën hapësirë me vëllain e tij, William, por të dy ndaheshin në mes nga kushëriri i tyre, Peter Phillips, djali i Princeshës Anne.

Megjithatë gjatë funeralit vëllezërit dukeshin të qetë dhe madje fotografët kapën momente teksa ata shfaqeshin duke biseduar me njëri-tjetrin. Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe ekspertja e gjuhës së trupit, Elaine Swann.

“Besoj se ka pasur një lidhje dhe bisedë ose diçka tjetër më parë, kjo nuk ishte hera e parë që dy vëllezërit komunikonin me njëri-tjetrin. Unë nuk mund ta imagjinoj që ata të dy të mos flisnin me njëri-tjetrin deri pas ceremonisë”, tha ekspertja duke shtuar se gjuha e trupit të dy vëllezërve tregon se ata e duan njëri-tjetrin dhe se funerali dukej si një vazhdim i komunikimit të tyre.

Ndërsa për shëtitjen e William, Harry-t dhe Kate pas funeralit, ajo është shprehur:

“Besoj se ishte diçka natyrale. Nëse shihni William ai u tërhoq pak mbrapa dhe priti vëllain [pastaj nisi të ecte. Ishte diçka e bukur që t’i shihnim të ecnin bashkë, por besoj se ishte një moment shumë natyral. Nuk mendoj se ishte e sajuar”, tha Swann. Ajo shtoi se gjuha e trupit të vëllezërve tregon qartë se ata të dy kanë pasur dëshirë të pajtohen dhe të flasin sërish me njëri-tjetrin.

Ndërkohë kujtojmë se Harry do të zgjasë edhe qëndrimin e tij në Britani, sepse gjyshja, Mbretëresha Elizabeth, feston së shpejti ditëlindjen dhe ai dëshiron që t’i gjendet pranë në këtë ditë të rëndësishme.


Shtuar 20.04.2021 09:47