“Donte të hynte në Guinness”, tragjedia në Atlantik, flet nëna e 19-vjeçarit: U përqafuam dhe bëmë shaka para se të niseshin

Adoleshenti Suleman Dawood, i cili vdiq në nëndetësen “Titan” mori kubin e tij Rubik me vete sepse donte të thyente një rekord botëror, tha nëna e tij për BBC.

19-vjeçari aplikoi në librin e rekordeve Guinness dhe babai i tij, Shahzada, i cili gjithashtu vdiq, kishte marrë një aparat fotografik për të kapur momentin.

Christine Dawood dhe vajza e saj Alina ishin në bordin e anijes mëmë të Titanit, Polar Prince, kur u lajmërua se ata kishin humbur kontaktin me nëndetësen Titan mëngjesin e së dielës, 18 qershor.

“Unë nuk e kuptova në atë moment se çfarë do të thoshte”, tha jo.

“Më pas çdo gjë shkoi keq.”

Në intervistën e saj të parë, zonja Dawood tha se kishte planifikuar të shkonte me burrin e saj për të parë rrënojat e “Titanikut”, por udhëtimi u anulua për shkak të pandemisë Covid.

“Pastaj u tërhoqa dhe e lejova Sulemanin të ishte pjesë e udhëtimit, sepse ai me të vërtetë donte të shkonte”, tha ajo, shkruan Albeu.com.

Së bashku me Suleman dhe babanë e tij, vdiqën edhe tre persona të tjerë.

Stockton Rush, CEO 61-vjeçar i OceanGate që zotëronte Titan, biznesmeni britanik Hamish Harding, 58 vjeç dhe Paul-Henry Nargeolet, 77 vjeç, një ish-zhytës i marinës franceze dhe eksplorues i njohur humbën jetën.

Duke folur për djalin e saj, zonja Dawood tha se Sulemani e donte aq shumë kubin e Rubikut, saqë e mbante me vete kudo, duke mahnitur shikuesit pasi e zgjidhte enigmën komplekse për 12 sekonda.

“Ai tha: “Unë do të zgjidh Kubin e Rubikut 3700 metra nën det”.

Suleman ishte student në Universitetin e Strathclyde në Glasgow, në MB. Biznesmeni Shahzada Dawood, i cili ishte britanik, ishte nga një nga familjet më të pasura të Pakistanit.

Familja, përfshirë vajzën Alina, 17 vjeç, hipën në anijen mëmë, Princi Polar në Ditën e Babait.

Zonja Dawood tha se ata u përqafuan dhe bënë shaka në momentet para se burri dhe djali i saj të hipnin në zhytësin Titan.

“Isha vërtet e lumtur për ta, sepse të dy ata donin ta bënin këtë për një kohë shumë të gjatë”, tha ajo.

Zonja Dawood e përshkroi burrin e saj si kurioz për botën që e rrethonte.

Ajo dhe vajza e saj qëndruan në bordin e Princit Polar ndërsa misioni i kërkim-shpëtimit kaloi nga shpresëdhënës në dëshpërim.

“Mendoj se e humba shpresën kur kaluam kufirin e 96 orëve,” tha zonja Dawood.

Ajo tha se pikërisht atëherë i dërgoi një mesazh familjes së saj.

“Unë thashë: “Po përgatitem për më të keqen”. Aty humba shpresat”.

Alina qëndroi pak më gjatë, tha ajo. “Ajo nuk e humbi shpresën deri kur roja bregdetare na informoi se gjeti mbetje të nëndetëses./Albeu.com/ 


Shtuar 26.06.2023 10:07