Do shtrenjtohen dhe kreditë, lëvizja e Bankës së Shqipërisë rrit yield-in e bonove 12-mujore në nivelin më të lartë që prej muajit maj

Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji është përcjellë edhe në rritjen e yield-it të bonove të thesarit 12-mujore.

Në ankandin e zhvilluar të martën, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve u rrit në 3.31%, nga 3.1% që kishte qenë në ankandin e fundit, të zhvilluar në fund të muajit tetor. Yield-et e bonove 12-mujore janë rritur në nivelin më të lartë që nga muaji maj i këtij viti.

Kërkesa e tregut në ankandin e fundit rezultoi ndjeshëm më e ulët krahasuar me ankandet e mëparshme. Nga 9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa për afërsisht 8.3 miliardë lekë. Përfundimisht, MFE pranoi kërkesa në vlerën e rreth 8 miliardë lekëve.

Në rast se kërkesat do të ishin prauar të gjitha, yield-i mesatar i emetimit do të rezultonte pak më i lartë, në nivelin 3.34%. Një yield i tillë do të sillte përcjelljen pothuajse të plotë të rritjes së normës bazë te yield-i i bonove 12-mujore.

Më datë 1 nëntor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti normën bazë të interesit nga 3% në 3.25%. Kjo ishte rritja e parë e aplikuar nga Banka Qendrore qysh prej muajit mars të këtij viti.

Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë për pjesën më të madhe të vitit 2023 bëri që yield-et e bonove 12-mujore të pësonin një rënie të vazhdueshme deri në fund të tremujorit të dytë 2023, ndërsa gjatë tremujorit të tretë ecuria e tyre kishte qenë e qëndrueshme, shumë afër nivelit të normës bazë të interesit.

Gjithsesi, edhe me rritjen e ankandit të kësaj jave, diferenca mes normës bazë të interesit dhe yield-it të bonove 12-mujore ngelet në nivelet më të ulëta historike.

Deklarata e Këshillit Mbikëqyrës në fillim të këtij muaji ka krijuar pritshmërinë se tashmë normat e interesit mund të jenë drejt një cikli të rritjes, për tu afruar më pranë nivelit të tyre neutral, vlerësuar në intervalin 4.25%-4.5%. Vendimi erdhi si rezultat i presioneve ende të larta inflacioniste dhe pritshmërive për një rritje të impulsit fiskal në ekonomi gjatë muajve të fundit të vitit 2023.

Inflacioni në muajin tetor zbriti në 3.8%, niveli më i ulët në një vit e gjysëm, por, megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, rreziqet mbeten të larta, të lidhura sa me mjedisin e jashtëm ekonomik, aq edhe me presionet e larta që tregu i punës po ushtron mbi pagat dhe kostot e prodhimit.

Nëse ky cikël i rritjeve të normës bazë do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, pritet që periudha e ndërmjetme me kushte relativisht të relaksuara monetare të marrë fund të shpejti. Kjo do të përkthehet në kosto më të larta financimi për qeverinë dhe sektorin privat, por nga ana tjetër në norma më të larta interesi për kursimet e shqiptarëve.

Bonot 12-mujore janë një hallkë veçanërisht e rëndësishme e zinxhirit të transmetimit të politikës monetare, sepse ato përdoren si tregues benchmark për kreditë me norma të ndryshueshme interesi në lekë.

Një rritje e yield-it të bonove përcillet automatikisht edhe në normat e interesit të kredive, duke sjellë këste më të shtrenjta për huamarrësit. Rritja e çmimit pritet të sjellë ngadalësim të mëtejshëm të kredisë dhe frenim të kërkesës së brendshme në ekonomi./monitor


Shtuar 15.11.2023 09:11