Teksa pritet një lehtësim i vapës në ditët në vijim për Gadishullin Iberik, vendet e tjera evropiane do të vijojnë të djersiten gjatë fundjavës. Sipas Met Office në Britaninë e Madhe, vala e të nxehtit mund të zgjasë edhe një javë dhe ndoshta më gjatë në disa zona. “Nuk ka shenja të ndonjë ndryshimi të madh për dy javët e ardhshme për momentin” – tha zëdhënësi i Met Office, Nicola Maxey për Sky News.
A shkaktohet kjo nga ndryshimet klimatike?
Vala e fundit e të nxehtit vjen pasi bota përjetoi javën e saj më të nxehtë të regjistruar në fillim të korrikut. Më herët u regjistrua qershori më i nxehtë në histori sipas Organizatës Botërore Meteorologjike. Studimet e mëparshme e kanë lidhur nxehtësinë në Evropë me ndryshimet klimatike. Në fillim të kësaj jave, një studim i ri zbuloi se më shumë se 61 mijë njerëz vdiqën në Evropë verën e kaluar si rezultat i nxehtësisë ekstreme.
Nicola Maxey nga Met Office tha se nuk ka pasur ndonjë studim që lidh këtë periudhë të fundit të motit të nxehtë me ndryshimin e klimës. “Ajo që ne dimë është se niveli bazë i nxehtësisë është më i lartë, kështu që ne po shohim nivele të rritura të nxehtësisë për shkak të ndryshimeve klimatike. Kështu që ku vjen një valë të nxehti, temperaturat që arrin nxehtësia janë edhe më të larta” – tha ajo.