Bota në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për tarifat e Trump, zyrtari i lartë amerikan: Do zëvendësohen me taksa të reja nëse shpallen të paligjshme

Administrata Trump do të vendosë menjëherë tarifa të reja nëse Gjykata Supreme i rrëzon ato të mëparshmet, tha Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamison Greer, në një intervistë me New York Times.

Gjykata Supreme pritet të vendosë për tarifat në javët e ardhshme.

Greer tha se administrata “do të fillojë të nesërmen” pas vendimit duke zëvendësuar tarifat me lloje të tjera tarifash.

Megjithatë, i dërguari shprehu optimizëm se Gjykata Supreme do të vendosë në favor të administratës.

Nëse jo, ai dhe këshilltarë të tjerë të presidentit i kanë dhënë atij “shumë mundësi të ndryshme” për arritjen e qëllimeve të tij tregtare, që do të thotë se presidenti mund t’u drejtohet autoriteteve të ndryshme ligjore për të vendosur tarifa të ngjashme në nivel global.

“Realiteti është se presidenti do të vazhdojë të përdorë tarifat si pjesë të politikës së tij tregtare”, tha Greer.

Shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Supreme është një provë serioze për shtrirjen e kompetencave presidenciale dhe gatishmërinë e gjyqtarëve për të vendosur kufizime në disa nga ambiciet e Trump për të zgjeruar këto kompetenca.


Shtuar 19.01.2026 19:47