BE përgatit një plan tarifor prej 100 miliardë eurosh nëse nuk do të ketë marrëveshje me Trumpin

Bashkimi Evropian po kërcënon të vendosë tarifa ndëshkuese me vlerë gati 100 miliardë euro për produktet amerikane – nga uiski te avionët Boeing – nëse Presidenti Donald Trump nuk bie dakord për një marrëveshje tregtare deri në fund të javës së ardhshme.

Sipas gazetës Guardian, Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se synon të bashkojë dy lista të produkteve amerikane që ishin përgatitur tashmë në të kaluarën, me qëllim që t’i përfshijë ato në kundërmasat e mundshme kundër tarifave të importit që Trump kërcënon të vendosë.

Listat në fjalë përfshijnë mallra me vlerë 21 miliardë euro (produkte shpendësh, alkool) dhe 72 miliardë euro të tjera (makina, avionë). Nëse propozimi miratohet nga shtetet anëtare të BE-së përmes një votimi që pritet në ditët në vijim, tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

“Prioriteti ynë është zbatimi” , thotë Komisioni.

Përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian, Olof Gill, tha se qëllimi i BE-së mbetet arritja e një marrëveshjeje me SHBA-në, por shtoi se “ne vazhdojmë të përgatitemi për të gjitha eventualitetet”.

Bashkimi i dy listave, tha ai, synon t’i bëjë kundërmasat “më të qarta, më të thjeshta dhe më të forta”.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, ishte planifikuar të zhvillonte një video-konferencë me Sekretarin e Tregtisë të SHBA-së, Howard Latnick, përpara se të informonte ambasadorët e BE-së të mërkurën pasdite. Brukseli ngurtëson qëndrimin pas kërcënimeve të reja të Trump.

Burime diplomatike thonë se klima në Bruksel ka ndryshuar ndjeshëm, veçanërisht pas refuzimit të një marrëveshjeje paraprake nga Trump dhjetë ditë më parë dhe kërcënimit të tij të mëvonshëm për të vendosur tarifa prej 30% për të gjitha importet nga BE-ja që nga 1 gushti.


Shtuar 23.07.2025 17:06

Tags: ,