Afrika e Jugut po lufton me një “valë të tretë” të fortë të koronavirusit. Situata ka nxitur Presidentin Cyril Ramaphosa të shpallë një sërë kufizimesh të reja, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e variantit shumë ngjitës “Delta”.
Në një deklaratë në televizionin kombëtar të dielën vonë në mbrëmje presidenti tha se ky variant është gjetur në pesë nga nëntë provincat e vendit.
Ai tha se “përhapja e shpejtë e variantit Delta është një çështje jashtëzakonisht serioze” që kërkon “masa paraprake shtesë”.
Masa përfshijnë ndalimin e të gjitha grumbullimeve, mbylljen e shkollave, ndalimin e shitjes së alkoolit dhe ngrënien në restorante, kufizime më të ashpra për daljen nga shtëpia të popullatës dhe ndëshkime më të rreptë për shkelësit e ligjit.
Për provincën më të prekur, Gauteng-un presidenti njoftoi një ndalim 14-ditor të udhëtimeve për qëllime argëtimi.
Që nga fillimi i pandemisë, Afrika e Jugut, epiqendra e koronavirusit në kontinent, ka raportuar më shumë se 1.9 milionë raste me COVID-19 dhe rreth 60 mijë vdekje. Instituti Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse njoftoi në dy ditët e fundit rreth 25 mijë raste të reja me koronavirus.
Presidenti Ramaphosa tha se vendi ndodhet “nën kthetrat e një vale shkatërruese që ka të gjitha shenjat se do të jetë më keq sesa dy valë të tjera që kanë goditur vendin më parë”.
Reagimi ndaj njoftimit të presidentit ishte sipas linjave partiake, ndërsa partia në pushtet, Kongresi Kombëtar Afrikan, shprehu mbështetje, opozita kritikoi reagimin e qeverisë ndaj pandemisë./VOA