Abuzime të shumta seksuale në kishë/ Studiuesi: Hetimi do zbulojë “majën e ajsbergut”

Një raport i pavarur mbi abuzimin seksual në kishën protestante në Gjermani tregon se ka pasur mijëra viktima gjatë dekadave të fundit dhe se rastet e njohura mund të jenë vetëm ‘maja e ajsbergut’.

Hetimi, i porositur nga vetë kisha, zbulon më shumë se 1200 shkelje të kryera nga stafi i kishës. Udhëheqësit fetarë thonë se janë të tronditur nga përmasat e këtyre krimeve.

“Si institucion, ne kemi qenë gjithashtu fajtorë për krime të panumërta kundër njerëzve, dhe unë e vetmja gjë që mund t’u kërkoj është falje me gjithë zemër për të gjithë ato që janë lënduar kaq shumë”-tha Kirsten Fehrs.

Një pjesë e viktimave që kanë bërë fushatë prej vitesh për të dalë e vërteta, u kanë bërë thirrje edhe të tjerëve të denoncojnë.

“Kisha Ungjillore ka një problem me dhunën e seksualizuar, ne gjejmë shifra të larta këtu, dhe ka një problem se si i trajton viktimat pasi ato denoncojnë”-theksoi Katharina Krach, viktimë e abuzimit seksual.

Studiuesit, të cilët kanë hetuar skandalin që nga viti 2020, thonë se ka prova që numri real i viktimave mund të shkojë afro 10,000. Zbulimet vijnë disa vite pasi një hetim në Kishën Katolike të Gjermanisë zbuloi një numër të ngjashëm tronditës të rasteve të abuzimit seksual nga klerikët.

Nga raporti i botuar të enjten, të paktën 1,259 njerëz që punojnë për Kishën Protestante të Gjermanisë kanë kryer abuzim seksual në dekadat e fundit, dhe të paktën 2,225 viktima janë të prekur nga abuzimi.


Shtuar 28.01.2024 21:58