Senatori Bob Menendez dha dorëheqjen të martën pasi shpalljes fajtor për korrupsion javën e kaluar, çka nxiti thirrjet në mesin e demokratëve, që ai të jepte dorëheqjen.
Zoti Menendez është shpallur fajtor se ka marrë qindra mijëra dollarë ryshfet në këmbim të abuzimit me postin e tij për të pasuruar dhe mbrojtur dy biznesmenë. Ai gjithashtu u shpall fajtor se kishte punuar si agjent i qeverisë së Egjiptit.
Guvernatori demokrat i Nju Xherist, Phil Murphy pritet të caktojë një zëvendësues për zotin Menendez, që ka përfaqësuar Nju Xhersin në Senat që nga viti 2006 dhe ka drejtuar Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, para se të largohej nga posti, pas ngritjes së akuzave ndaj tij vitin e shkuar.
Zoti Menendez, 70 vjeç u shpall fajtor nga një gjykatë në Nju Jork në 16 korrik për të 16 akuzat penale me të cilat përballej.
Ai dhe gruaja e tij kishin pranuar shufra ari dhe para në dorë si edhe në formë pagesash për kredi makinash dhe banesash si ryshfet nga tre biznesmenë në këmbim të dhënies së miliarda dollarëve në ndihmë amerikane për Egjiptin, ku njëri prej biznesmenëve kishte lidhje me zyrtarë të qeverisë.
Letra e dorëheqjes së tij u lexua me zë të lartë në sallën e Senatit. Ekipi ligjor i Senatorit Menendez ka njoftuar se do ta apelojë vendimin.
Masa e dënimit për të është caktuar të jepet në 29 tetor, një javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku ai po garon si kandidat i pavaruar.
Një sërë demokratësh i kishin bërë thirrje zotit Menendez të dorëhiqej, mes tyre, guvernatori Murphy, udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe senatori tjetër i Nju Xhersit, Cory Booker./VOA