A janë në rënie Vladimir Putin dhe Xi Jinping?

Nga Adrian Wooldridge “Bloomberg

Në librin e tij të mrekullueshëm me kujtime të vitit 1941, “Bota e djeshme”, Stefan Zweig rrëfen atmosferën optimiste që dominonte në Evropën e para vitit 1914 dhe Luftës së Parë Botërore. Qytetërimi borgjez dukej se ishte në një lulëzim të përhershëm. Mrekullitë teknologjike, siç ishin balonat fluturuese Zeppelin po i mbushnin të gjithë me shpresë për një të ardhme që nuk do të njihte kufij.

Të lidhura

None found

“Ne ndiheshim ende paksa siklet kur dëgjonim për ndonjë konflikt në Ballkan”- shkroi ai. Por ajo që ai dhe miqtë e tij e ngatërruan për nuancën e kuqe të agimit ishte “në të vërtetë drita e zjarrit të madh ndërkombëtar që po afrohej”. Sot po rrezikojmë të bëjmë sërish të njëjtin gabim.

“Mjaft me debatin mbi dobësitë e demokracisë. Le të flasim për pikat e saj të forta”- thotë Fareed Zakaria, autori i një libri profetik të vitit 2003 “E ardhmja e lirisë:Demokracia jo-liberale brenda dhe jashtë vendit. “Koha dhe historia nuk janë në anën e diktatorëve”- thekson nga ana e tij Michael Abramoëitz, drejtues i “Freedom House”, një organizatë që vështirë se mund të akuzohet për ndonjë optimizëm të tepruar vitet e fundit.

Është e lehtë të kuptohet pse ka kaq shumë optimizëm. Udhëheqësit kryesorë të grupit të autokratëve – Vladimir Putin dhe Xi Jinping – kanë bërë një sërë gabimesh serioze. Pushtimi i Ukrainës nga Putin po e rrënon ekonominë ruse por dhe besueshmërinë e tij. Po kështu, edhe lufta e Xi ndaj Covid-19.

Figura e Donald Trump po zbehet. Sipas një sondazhi të ri të USA Today/Suffolk University, 61 për qind të votuesve republikanë thonë se do të preferonin që dikush tjetër të ishte kandidat i partisë në zgjedhjet e vitit 2024. Por shumë nga këto sinjale janë të hapura për një interpretim të ndryshëm.

Pushtimi i Putinit në Ukrainë ka treguar se sa e varur është Evropa nga energjia ruse. Përdorimi i energjisë si një armë nga Moskës, mund t’i futë ende në kolaps qeveritë perëndimore. Xi e ka braktisur politikën e tij “Zero Covid” për shkak të protestave të mëdha popullore, duke sugjeruar se ai është i aftë për të ndryshuar kurs sa herë që gjendet me shpatulla pas murit.

Presidenca Trump i ka bërë me të drejtë mosbesues liderët evropianë ndaj kapacitetit të Amerikës për të mbetur një udhëheqëse e botës së lirë. Por ky është gjithashtu një lajm i mirë për arkitektët seriozë të populizmit konservator. Epoka e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, i ka lënë vendin një epoke të re të politikës së fuqive të mëdha. Marshimi i madh i demokracisë që e karakterizoi epokën e pasluftës, dhe që u përshpejtua me rënien e komunizmit, është ndalur tashmë.

Larry Diamond i Universitetit të Stanfordit llogarit se përqindja e vendeve (me popullsi mbi 1milionë) që janë demokraci arriti kulmin në 57 për qind në 2006, dhe ra në 46 për qind në vitin 2019. Anketat e Qendrës Kërkimore Pew në SHBA, tregojnë vazhdimisht se segmente të mëdha të publiku në vendet demokratike është i pakënaqur dhe dëshirojnë një reformë politike thelbësore.

Prapësimi më i madh në raport me demokracinë ka qenë veçanërisht shqetësues në 2 vende: Shtetet e Bashkuara, kampioni më i madh i demokracisë për pjesën më të madhe të historisë së saj, dhe India, që është sot demokracia më e madhe në botë. Edhe nëse po bie mbështetja ndaj Trump – dhe s‘duhet ta nënvlerësojmë kurrë aftësinë e tij për t’u rigjeneruar – kjo nuk do të zhdukë problemet që krijuan Trumpizmin.

Një sondazh kombëtar i CNN, i kryer gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, zbuloi se 93 për qind e votuesve republikanë, dhe 60 për qind e të gjithë votuesve në përgjithësi, besojnë se Biden nuk u zgjodh në mënyrë legjitime. Po ashtu 75 për qind besojnë se demokracia është “disi” ose “shumë” në rrezik.

Një sondazh i Gallup i kryer në fillim të këtij viti, zbulon se një përqindje e vogël e të anketuarve kanë besim të moderuar deri në të lartë tek institucionet jetike:25 për qind tek Gjykatën e Lartë, 16 për qind tek mediat dhe 7 për qind tek Kongresi. Liberalët kanë pasur gjithmonë tendencën optimiste duke menduar se “harku i historisë” përkulet në drejtimin e tyre, se marshimi i përparimit do të çojë në rënien e populizmit autokratik.

Në fakt sot janë shumë nga tiparet qendrore të modernitetit, ato po e nxisin kthimin e anti-liberalizmit. Globalizimi ua bën më të lehtë regjimeve autoritare eksportimin e korrupsionit në botën e lirë. Një korrupsion i tillë nuk merr vetëm formën e diktatorëve të tjerë dhe njerëzve të dyshimtë të biznesit që marrin para me thasë.

Disa nga institucionet më prestigjioze të Perëndimit, përfshirë ato në Britaninë e Madhe, veprojnë si kujdestarë të parave të tyre:avokatët, tutorët dhe agjentët e pasurive të patundshme janë shërbyesit e oligarkëve të lidhur me politikën. Forcat jo-liberale kanë mjaft mjete në dispozicion për të mbështetur kauzën e tyre.

Ekonomitë e botës së zhvilluar demokratike, duket se e kanë humbur kapacitetin për t’u rritur në mënyrë të qëndrueshme, duke pakësuar financimin e shtetit të mirëqenies, të cilin qytetarët e tyre e marrin si të mirëqenë. Flukset e refugjatëve nga vendet më të varfra, po ushtrojnë një presion në rritje ndaj botës më të pasur, teksa po e zbehin ndjeshmërinë e publikut.

Kombinimi i krizës energjetike dhe kërkesës së ndrydhur nga Covid-19, e ka rritur inflacionin në të gjithë botën e pasur, duke shkaktuar kërkesa për paga më të larta, greva, dhe një ndjenjë të përgjithshme se gjërat nuk po funksionojnë më. Populistët dinë që të përfitojnë nga ankesat e njerëzve për kushtet ekonomike, ndryshimet demografike dhe ndryshimet e shpejta sociale.

Po ashtu dinë të shfrytëzojnë ngjarjet që “e mbushin kupën”, refugjatët që qëndrojnë në hotele
apo bandat që vrasin pensionistët, me synim polarizimin e opinionit publik. Por liberalizmi e ka humbur joshjen e tij. Një ide e farkëtuar nga radikalët e guximshëm të shekullit XIX-të është bërë doktrina e elitave të sotme komode. Ai është ndarë në dy degë, asnjëra prej të cilave nuk ka shumë mbështetje popullore.

Neoliberalizmi, që tërheq teknokratët, por është gjithnjë e më shumë i dëmtuar nga problemet teknike. Ndërkohë liberalizmi i majtë, promovon vanitetin e elitës së arsimuar, edhe pse i trajton masat si fanatikë dhe budallenj. Kjo rrymë i braktisur idetë dikur aq tërheqëse.
Pa një përpjekje serioze për të ringjallur frymën radikale dhe reformuese të liberalizmit, avantazhi do të jetë i populistëve. Le të mos e humbim shpresën:rendi botëror liberal është ende pafundësisht më tërheqës se sa populizmi konservator. Por le të mos bëjmë gabimin e Zweig dhe bashkëkohësve të tij, që supozuan se shkëlqimi i kuq në horizont ishte agimi./albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 24.12.2022 15:59