A do ta ndryshojë Kongresi i ri, me shumicë republikane politikën e jashtme të SHBA-së?

Nga Matteo Turato “Formiche.net

Zgjedhjet e mesit të mandatit i dhanë mundësi demokratëve të ruajnë shumicën në Senat, ndërsa republikanëve të rifitojnë kontrollin e Kongresit, teksa ra në sy humbja e kandidatëve të mbështetur nga Donald Trump.

Një lajm i mirë për Ukrainën, që do të vazhdojë të ketë mbështetje nga SHBA-ja, dhe për multilateralizmin që nuk do të ri-hyjë në krizën e viteve të presidencës Trump. Por si do të ndikojë Kongresi i ardhshëm në politikën e SHBA-së për Ukrainën, Kinën, ekonominë dhe shumë tema të tjera të nxehta? Kjo është pyetja që think-tanku “Atlantic Council” është përpjekur t’i japë përgjigje, duke publikuar një përmbledhje me opinione nga një sërë ekspertësh mbi çështje të ndryshme.

Ukrainë

Në analizën e tij John Herbst, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë, thekson se ndryshe nga sa pritej nuk pati një “dallgë të kuqe”, pra një fitore të thellë të republikanëve, dhe kjo ka zbehur dyshimet se kandidatët më populistë mund ta nxisnin Uashingtonin të reduktonte mbështetjen ndaj Kievit.

Dhe ky zhvillim duhet t’i qetësojë jo pak ukrainasit, ekzistenca e të cilëve në thelb varet nga ndihma amerikane. Nga ana tjetër Vendet e Evropës Lindore si Rumania, Polonia dhe vendet baltike, mund ta llogarisin ruajtjen e statusit të tyre si pararoja e krahut lindor të NATO-s. Ndërkaq, vendet e Evropës Perëndimore mund të vazhdojnë të shpenzojnë pak për mbrojtjen duke përfituar nga “ombrella” mbrojtëse e SHBA-së.

Multilateralizmi dhe demokracia

Cristopher Skaluba, ish-drejtor kryesor për politikën evropiane dhe të NATO-s në Pentagon, tregon se si rezultatet e këtyre e zgjedhjeve ofrojnë njëfarë ngushëllimi edhe për ata që kishin frikë për “shëndetin” e NATO-s dhe të multilateralizmit në përgjithësi.

Vitet e presidencës së Donald Trump kujtohen në Bruksel si një makth, si për politikat e sigurisë, po ashtu edhe për ato tregtare dhe diplomatike. Aq sa disa zyrtarë evropianë shkuan në Uashington pak para zgjedhjeve, duke kërkuar këshilla se si të menaxhonin një rikthim të mundshëm të atyre dinamikave.

Për më tepër, rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit tregojnë mungesën e joshjes së  Moskës përkundrejt popullatës amerikane, pavarësisht alarmeve parazgjedhore. Po ashtu, ka një psherëtimë lehtësimi për rezultatet e dobëta në zgjedhje të mohuesve të integritetit të tyre, një shenjë kjo e shëndetit të mirë të demokracisë amerikane.

Rivendosja e marrëdhënieve me Evropën ka qenë një shtyllë kryesore e 2 viteve të para të administratës Biden, e përfshirë në programin e politikës së jashtme për ringjalljen e multi-lateralizmit. Rachel Rizzo, anëtare e lartë e Qendrës Evropiane, nënvizon se Gjermania ka shtuar shpenzimet e saj për mbrojtjen, sistemi energjetik evropian e ka reduktuar ndjeshëm varësinë e tij ndaj Rusisë, ndërsa Polonia ka marrë nga SHBA-ja premtimin për të vendosur përgjithmonë në këtë vend një numër trupash amerikane.

Natyrisht, do të jetë e nevojshme të shihet se çfarë efekti do të kenë akuzat e evropianëve për proteksionizëm ndaj Aktit të Reduktimit të Inflacionit. Apo se çfarë do të ndodhë nëse Ukraina do të pësojë disfata ushtarake në të ardhmen, ku Kongresi mund ta drejtonte gishtin e akuzës ndaj vendeve evropiane se nuk kishin bërë mjaftueshëm. Në këtë kuptim, për të mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera, Rizzo thotë se do të jetë e rëndësishme që Evropa të vazhdojë të interesohet për çështjet strategjike në mënyrë që të luajë një rol më largpamës si një fuqi globale.

Kina

Sipas Kit Conklin, ish-zyrtar i sigurisë kombëtare të SHBA-së, republikanët ka të ngjarë ta përdorin shumicën në Kongres, dhe sidomos Komitetin e Punëve të Jashtme, për të sulmuar Shtëpinë e Bardhë për politikat e ndjekura ndaj Kinës në lidhje me teknologjinë.

Conklin vëren se në vitin 2021, Byroja e Industrisë dhe Sigurisë (BIS) miratoi eksportin e teknologjisë që supozohej të ishte pjesë e listës së zezë me vlerë 61 miliardë dollarë. Një element që ndoshta do të përdoret si një levë kundër Biden.

Në përgjithësi, theksi do të vihet tek konkurrenca teknologjike, qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit në SHBA dhe efektiviteti i përgjithshëm i strategjisë presidenciale të kontrollit të eksporteve. Kongresi me shumicën e re mund të sjellë ndryshime të rëndësishme, duke filluar nga propozimet aktuale që përfshijnë forcimin burokratik të BIS-it, lidhjen e tij direkte me byronë ose krijimin e një dege të re të inteligjencës brenda sistemit.

Në përgjithësi, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët do ta shohë si një përparësi kryesore konkurrencën teknologjike SHBA-Kinë. Prandaj, duhet të presim miratimin e ligjeve të reja që do të kenë një ndikim të rëndësishëm në sigurinë e kërkimit, tregtinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.

Irani

Barbara Slavin, drejtore e Nismës për të Ardhmen e Iranit, beson se Kongresi i SHBA-së nuk do të jetë në gjendje të bllokojë një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit, nëse kjo e fundit do të arrihet ndonjëherë. Për më tepër, administrata aktuale është tashmë shumë aktive në mbështetjen e protestuesve iranianë dhe në kundërshtimin e furnizimeve që Irani po i bën Rusisë me dronë dhe raketa për luftën në Ukrainë.

Mund të pritet që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të përdorin një retorikë edhe më agresive, duke i bërë jehonë “skifterit” Benjamin Netanyahu, kryeministri i sapozgjedhur i Izraelit. Për Netanyahun, Irani mbetet një mbulesë e dobishme dhe një mënyrë për të larguar vëmendjen nga tensionet izraelito-palestineze, dhe nga kritikat e SHBA-së për trajtimin e qeverisë ndaj palestinezëve dhe arabëve izraelitë.

/albeu.com


Shtuar 21.11.2022 09:54