Borxhi publik del nga binarët, qeveria shkel ligjin e thyen rregullin fiskal kundër FMN-së

Qeveria vendosi ta çojë borxhin publik këtë vit në 82.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nëpërmjet një akti normativ që është depozituar në Kuvend, i cili rrit deficitin buxhetor në nivelin 120,5 miliardë lekë (rreth 1 mld euro) nga 108 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit.

Qeveria e rriti masën vjetore të deficitit, duke shkelur rregullin fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit në vitin 2016, i cili nuk lejon që borxhi i ri në një vit të jetë më shumë se 2% e PBB-së. Me ndryshimet e fundit, deficiti buxhetor arrin në 7.1% të PBB-së së pritshme në 2021, nga 6.5% e PBB që është përcaktuar në ligjin fillestar të buxhetit të vitit 2021.

Përfshirja e rregullit fiskal (deficit 2% e PBB-së) në Ligjin e Menaxhimit Buxhetor pesë vite më parë, plotësoi standardin e kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian. Duke respektuar këtë normë, sipas planifikimit të Ministrisë së Financave në Kuadrin makroekonomik 2017, borxhi publik i vendit do të zbriste poshtë nivelit 60% në vitin 2020, për t’u ulur drejt normës së synuar 45% të PBB në vitin 2024. Lehtësimi nga barra e borxhit do t’i relaksonte qeveritë shqiptare nga efektet negative të krizave të papritura dhe nga ana tjetër, do të krijonte mundësitë për të realizuar investime të qëndrueshme cenuar stabilitetin fiskal.

Po tani, në vitin 2021, borxhi i publik i vendit do të jetë së paku 22 pikë përqindje më i lartë se planet në fillim të këtij pesëvjeçari.

Thyerja e rregullit fiskal, nuk justifikohet nga emergjenca

Në një relacion të posaçëm që shoqëroi aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2021, Ministria e Financave e argumentoi thyerjen e rregullit fiskal me “nevoja dhe urgjenca si kushte për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit”.

Për këtë veprim, Ministria e Financave e citoi nenin 101 të Kushtetutës, i cili ka parashikuar ‘nevojën’ dhe ‘urgjencën’, si rrethana për të rritur borxhin. Por, nga ana tjetër, Shqipëria nuk është as në gjendje të jashtëzakonshme dhe për me tepër shpenzimet që do të kryhen me borxhin e ri faturojnë mallra deri në vitin 2024, që nuk lidhje me emergjencën e përkohshme.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se, ky akt normativ është pothuajse ligjërim i një praktike që nuk përmbush normat e një procesi ligjor të mirëfilltë demokratik, pa konsultime dhe në shkelje të parimeve të transparencës dhe konsultimit publik.

“Ky ndryshim i nxituar vjen së pari, pasi buxheti ishte miratuar për qëllime elektorale dhe zgjerimi i kufijve të huamarrjes dhe borxhit publik ndodh, pasi qeveria shpenzoi pjesën më të madhe të borxhit për qëllime elektorale” – tha z. Xhepa.

Qeveria shqiptare me ndryshimet e fundit e çoi pothuajse të gjithë masën e deficitit te shpenzimet kapitale, duke i shtuar ato edhe me mbi 13 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale janë më së shumti, investime në rrugë dhe investime shumëvjeçare që nuk kanë lidhje me emergjencën.

Vitin e kaluar, deficiti buxhetor i vendit arriti në 110 miliardë lekë niveli më i lartë historik, ndërsa në përqindje të PBB-së arriti në 6.9, niveli më i lartë që nga viti 2009.

Vitin e kaluar, rregulli fiskal u thye me të drejtë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19 që nisi në mars të vitit 2020, të cilat ishin ngjarje jo të zakonta dhe nuk kishin se si të parashikoheshin në shpenzimet rutine. Por nga 110 miliardë lekë që u shtuan për borxhin e ri, vetëm 27 miliardë u përdorën për krizat, nga të cilat 16 miliardë lekë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe 11 miliardë u dhanë si mbështetje direkte për biznesin dhe individët nga paketat e ndihmës anti-Covid. Rreth 90 miliardë lekë të tjera shkuan për të mbuluar hendekun, që u krijua nga mungesa e të ardhurave dhe shpenzime të tjera.

FMN rekomandoi që deficiti i 2021 të jetë 65 mld lekë, qeveria e çoi në 120,5 mld lekë

Një Mision i FMN-së që vizitoi në fillim të qershorit vendin e “kritikoi” qeverinë se, deficiti buxhetor prej 108 miliardë lekësh i planifikuar në fillim të vitit 2021 ishte i lartë dhe sipas tyre një masë prej 65 miliardë lekësh rreth 3.8% e PBB-së do të ishte e mjaftueshme për të përballuar pasojat e pandemisë dhe tërmetit.

Në deklaratën zyrtare, Misioni i FMN-së theksoi se në periudhën afatshkurtër, politika fiskale duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen nëpërmjet masave të përkohshme dhe të mirëshënjestruara, që duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe përgjegjshmërisë.

Sipas Fondit, do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontingjencën.

“Në këtë kontekst, objektivi i vitit 2021 për një deficit primar prej 65 miliardë lekësh (rreth 3.8% e PBB-së) është i mjaftueshëm për të siguruar mbështetje për ekonominë. Një stimul shtesë duhet të merret parasysh, vetëm në rast se rimëkëmbja e pritshme nuk materializohet. Nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato duhet të kursehen. Për të ndihmuar rindërtimin e hapësirës së nevojshme të politikës fiskale sapo rimëkëmbja të jetë në një rrugë të mbarë, nismat e planifikuara nga autoritetet shqiptare duhet të jenë në përputhje me objektivin e arritjes së një ekuilibri primar fiskal pozitiv deri në vitin 2023 dhe të mbështeten nga një kuadër i besueshëm buxhetor afatmesëm” – deklaroi Misioni i FMN-së në deklaratën e fundit.

Por qeveria rriti më tej shpenzimet për borxh që nuk kanë lidhje me emergjencën. Shpenzimet kapitale, me ndryshimet e fundit, u rritën duke arritur nivelin e 132 miliardë lekëve nga 121 miliardë të planifikuara me ndryshimet e fundit në aktin normativ të prillit 2021. Shpenzimet kapitale që kryesisht shkojnë për financimin e PPP dhe investimeve buxhetorë në rrugë kanë rritur nivelin më të lartë historik në vlera neto. Ato shkuan në 7.6% të PBB-së nga 5% që është kufiri i rekomanduar nga FMN për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe rritjen e qëndrueshme. Për më tepër, vendimi i qeverisë për të rritur borxhin e vendit në rekorde historike nuk shoqërohet me studime për fizibilitetin e projekteve që do të financohen dhe se sa është kthimi i tyre në ekonominë e vendit për të justifikuar financimin me borxh.

Në vijimësi, pas vitit 1990, qeveritë në Shqipëri e kanë përdorur borxhin për të financuar projekte, produktiviteti i të cilave ka qenë e diskutueshëm.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, përvese e konsideroi borxhin e ri të ekzagjeruar dhe kërkoi qeverisë të zbatojë një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat sa më shpejt.

Shpenzimet shtesë për fondin rezervë

1- Shtesa 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e fushatës së vaksinimit anti-COVID-19, në masën 1 miliard lekë dhe 1 miliard lekë për financimin e projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.
2- Shtesa në masën 1 miliard lekë për AKSHI-n, me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.
3- Shtesa në masën 900 milionë lekë si transfertë specifike për Bashkinë e Tiranës, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
– Shtesa në masën 500 milionë lekë për financimin shtesë të nevojave të qirave të strehimit social.
-Shtesën në masën 200 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve të ngritjes dhe funksionimit të grupit të përfaqësuesve në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Fondet shtesë për investimet kapitale më 2021
1-Financime shtesë prej 4.8 miliardë lekësh për projektet në infrastrukturë në programin “Transporti Rrugor”, ku përfshihen hapja e loteve të reja për “Ndërtimin e segmentit rrugor Unaza Veriore Tiranë”, “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale të Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet mbi planin buxhetor të miratuar për vitin buxhetor 2021.
2- Financimin shtesë prej 3 miliardë lekësh për projektet në vazhdim, të programeve të zhvillimit.
3- Financimin shtesë prej 2.5 miliardë lekësh për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, për përmirësimin e furnizimit me ulje të popullsisë.
4-Financimin shtesë prej 1 miliard lekësh për projektin në vazhdim me financim të huaj “Ndërtim By-Pass i Vlorës”, i cili ka ecuri të mirë dhe pritet të tejkalojë realizimin e miratuar për këtë vit.
5-Financimin shtesë prej 1 miliard lekësh për projektin në vazhdim me financim të huaj “IPARD II”, bazuar në ecurinë e mirë dhe pritshmëritë për realizimin e tij.
6- Financimin shtesë në masën 200 milionë lekë për godinën e Polit të Drejtësisë, bazuar në këstet e përcaktuara në kontratën përkatëse./Monitor


Shtuar 28.06.2021 08:48