Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, duke arritur në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, ka paralajmëruar se do t’i informojë liderët për ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se çfarë është zhvilluar kohëve të fundit.
“Propozimi është në tavolinë. I kam ftuar dy liderët që të vijnë në Bruksel së shpejti, brenda disa javësh, në mënyrë që përfundimisht ta shtyjmë përpara këtë propozim“, ka thënë Borrell.
Duke folur për samitin e BE-së, i cili zhvillon punimet të enjten dhe të premten në Bruksel, Borrell ka thënë se do të kërkojë nga liderët e vendeve anëtare që të japin një mbështetje të fuqishme në mënyrë që të evitohet përshkallëzimi, dhe t’u kërkojnë që të punojnë seriozisht për këtë propozim, që është rruga e vetme për të zgjidhur problemet dhe normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi kaluar prej një krizë në tjetrën. Tash ka ardhur koha për de-eskalim dhe për punë konstruktive“, ka thënë Borrell.
Raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së që është duke u zhvilluar të enjten e 9 shkurtit.
Porosia për pritjet nga dialogu do të përfshihet edhe në konkluzat që do të miratohen në këtë samit.
“Këshilli Evropian, në dritën e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, nënvizon nevojën urgjente për progres në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë“, thuhet në draft.
“Këshilli i BE-së mirëpret propozimin Evropian për të vendosur raportet mes dy palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një rast historik i cili duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët me qëllim të realizimit të perspektivës së tyre evropiane“, thuhet në propozimin e tekstit të konkluzave që do të miratohet në samitin dy ditësh të shefave të shteteve të BE-së në Bruksel.
Në të njëjtin tekst liderët e vendeve anëtare do të përsërisin edhe thirrjen për zbatimin e të gjtiha marrëveshjeve të arritura më herët.
“Këshilli Evropian u bën thirrje të dyja palëve që të implementojnë, në tërësi dhe pa kushte, obligimet të cilat i kanë pranuar në kuadër të dialogut, përfshfirë edhe marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe“, thuhet në pjesën e konkluzave.
Në BE presin që “së shpejti“ të organizohet një takim në nivel të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, ende nuk ka një datë për një takim të tillë.
Mbështetja për propozimin evropian për “marrëveshjen bazë“ mes Kosovës dhe Serbisë që pritet të dalë nga ky samit, konsiderohet si sinjali më i fortë nga niveli më i lartë i BE-së për përkushtimin që kjo marrëveshje të arrihet.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane./rel/