Borrell mbledh në New York liderët e Ballkanit Perëndimor

Me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 20 shtator liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në New York.

Këtë takim e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda BE-së në Bruksel, të cilat kanë thënë se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në New York zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të mbledh në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Këto burime kanë thënë se nuk e dinë cili shtet do të përfaqësohet në cilin nivel, por janë shprehur të bindur se të gjitha shtetet do të marrin pjesë.

Kosovën në javën e takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.

Burimet kanë thënë po ashtu se aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pikërisht lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si një prej arsyeve shtesë që problemet e mbetura në këtë rajon duhet të zgjidhen sa më parë, në mënyrë që të parandalohet rritja e tensioneve.

Ka një varg zhvillimesh që pritet të ndodhin në javët dhe muajt në vijim në raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, mes tyre edhe një samit që pritet të zhvillohet në fillim të tetorit në Pragë. Aty për herë do të diskutohet për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane, një format ku do të ishin vendet e BE-së dhe vendet tjera evropiane që nuk janë anëtare formale të bllokut.

Për Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që të vazhdohet bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pritet të flitet edhe në një takim trans-atlantik në nivel të ministrave të Jashtëm, të cilin takim do ta organizojë Sekretari amerikan i Shtetit, Athony Blinken. Në këtë takim do të marr pjesë edhe Borrell.

BE-ja dhe SHBA-ja janë zotuar se do të bashkëpunojnë në të ardhmen në përpjekjet e përbashkëta për të ruajtur stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimorë dhe për të zgjidhur problemet që kanë mbetur. /REL/


Shtuar 19.09.2022 11:30