Bora mbuloi Kërçovën, Dibrën dhe Manastirin (VIDEO)

Bora mbuloi rajonin perëndimorë të vendit. Mëngjesi sotëm ishte befasi për banorët e Dibrës, Kërçovës dhe Manastirit.

Në rrugën Dibër-Mavrovë nga reshjet e dendura të borës një lis i rrëzuar kishte bllokuar rrugën.Edhe në Manastir në orët e paradites rrugët e qytetit ishin të pa pastruara dhe automjetet lëviznin në vështirësi.

E njëjta situatë është edhe në Kërçovë, nga qendra rajonale për menaxhim me kriza në Kërçovë thonë se gjithçka është në rregull dhe nuk ka pasur as thirrje për ngecje nëpër vendet malore.

Suzana Tasevska tha se në mëngjes ka pasur 6cm borë, ndërsa në vendet malore 16,17cm, por megjithatë ajo tha se deri në këto momente nuk kanë pasur thirrje për ndihmë dhe se situata është nën kontroll.

“Ne si qendër për menaxhim me kriza kemi dal në teren i kemi vizituar fshatrat malore, kemi folur me ata dhe ju kemi thënë që duhet të jenë të përgatitur në kohë, me ushqime për vete dhe bagëtitë, gjithashtu edhe me barëra për vete, në kohë të jenë të siguruara të gjitha dhe nëse kanë nevojë të lajmërohen në numrin 195”, tha Suzana Tasevska nga Qendra rajonale për Menaxhim me Kriza.

Nga ora 06:30 është vendosur ndalim qarkullimi i automjeteve të rënda në rrugën Kërçovë – Ohër përmes kalimit malor Presekë dhe në rrugën Kërçovë-Gostivar konkretisht në Strazhë. Mirëpo në mesditë këto ndalesa janë hequr dhe komunikacioni po zhvillohet pa problem.

“Mëngjesin e sotëm Kërçovën, Dibrën dhe Manastirin i kaploi bora, këtu në orët e mëngjesit kishte kamionë të shumtë në rrugën e Kërçovës të cilëve u ishte vënë ndalesa që të mos kalonin Strazhën dhe Presekën që shkon në Ohër, por siç duket në këto momente tani që jemi në mesditë kamionët janë lëshuar në lëvizje dhe rrugët janë pastruar, situate është e qetë. Komunikacioni edhe në rrugët rajonale dhe në rrugët magjistrale po zhvillohet pa problem”

Ndalim qarkullimi për kamionët ka edhe në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, si dhe në qafën malore Gjavato. Për llojet e tjera të automjeteve, përdorimi i pajisjeve dimërore është i detyrueshëm, informojnë LAMM. Në rrugët e tjera qarkullimi zhvillohet në rrugë të lagështa, në disa vende më të larta në rrugë ka mbetje të dëborës. /TV21/


Shtuar 30.11.2021 17:54