Bonusi i bebeve me kusht të ri, çfarë duhet të dini

Qeveria po synon të orientojë politikën e nisur pak vite më parë të bonusit të bebeve tek familjet që jetojnë realisht në Shqipëri, duke eliminuar kështu përfitimin e atyre që nuk jetojnë më në vend.

Në një vendim të miratuar të mërkurën, Këshilli i Ministrave ka bërë ndryshime ku përfshin si kusht qëndrimin 180 ditë në Shqipëri në vitin paraardhës për prindërit e foshnjave të sapolindura. Këto të dhëna do të merren nga sistemi TIMS.

“Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, e përfitojnë: a) prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile”, thuhet në vendim.

Një tjetër element që shtohet, është përfitimi i këtij bonusi nga ata të huaj që janë vendosur në Shqipëri si azilkërkues, apo refugjatë të cilët vendosin që shtetësia e fëmijës së tyre të jetë shqiptare.

“Prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, thuhet në pikën e dytë sa i takon ndihmës shtetërore.

Në shtator të këtij viti, vendimi që lidhej me bonusin e bebeve u ndryshua duke synuar që përfitimet të jenë për shtetasit që jetojnë brenda vendit, pasi ndër vite edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë kishin përfituar nga kjo hapësirë ligjore.

Për qeverinë kjo përbënte përfitim të dyfishtë, pasi ata përfitojnë nga skemat në vendet ku janë vendosur.

Qeveria miratoi bonusin e bebeve që ka një përfitim financiar prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin dhe foshnjat e tjera në vijim si një politikë për rritjen e lindshmërisë por deri më sot nuk ka një vlerësim mbi efektivitetin e saj.


Shtuar 29.12.2023 15:20