Boçi: Bosi i mafias Vangjush Dako, u lirua se zbatoi ligjin e “Omertas” të Edi Ramës!

Partia Demokartike deklaroi sot se “lirimi i Vangjush Dakos, bosit të mafies, betonizuesit të Durrësit dhe serial-killerit të zgjedhjeve në këtë qark, është shenja e radhës se në Shqipëri nuk ka ligj, por drejtësi me porosi.”

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PD Luçiano Boçi analizoi dhe bëri publike, të gjitha rrethanat që çuan në nxjerrjen nga burgu të Vangjush Dakos, ish-kryebashkiakut socialist të Durrësit, mikut dhe bashkëpunëtorit më të ngushtë të Kryeministrit.

Deklarata e plote

“Partia Demokratike e ka vënë e para alarmin e keqpërdorimit e  Spakut dhe gjykatave te drejtësisë se re si vegla të verbëta në duart e partisë së krimit dhe do të jetë e fundit që do të heshtë përballë kapjes së sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Konvaleshenca e Dakos nga suita e paraburgimit, e ngritur posaçërisht për të dhe zyrtarët e tjerë socialistë, në kushtet e shtëpisë, është sinjali që Edi Rama u dërgon bashkëpunëtorëve: me pak harxhe, dhe po të po ti përmbahet kodit të Omertas, dmth; te qepni gojën, do t’ia hidhni!

Dako nuk u lirua se e lejoi tejkalimi i procedurave, por sepse zbatoi ligjin e Omerta-s, të heshtjes, së Edi Ramës. Dako nuk u akuzua për krimet e tij të rënda që rëndonin mbi të si betonizimi i Durrësit dhe krimi monstruoz elektoral të mirëdokumentuar, por për shtesë kati dhe ‘shpërdorim detyre’.

Ai nuk u dërgua në shtëpi se nuk ka prova, por se ai e dha provën e besnikërisë ndaj partisë dhe Edit. Besnikëria, e cila bazohet mbi parimin: lejojeni drejtësinë e re tone të bëjë sikur po na godet, që nëpërmjet saj të godasim kundërshtarët politikë dhe të jemi në pushtet sa të duam vetë.

Vangjush Dako është fytyra e pushtetit që Edi Rama ka ndërtuar në Shqipëri që në kohën kur drejtonte bashkinë e Tiranës. Ai nuk mund të dënohet sepse është mik i Ramës, bashkëpunëtor i tij, por mbi të gjitha në bashkëfajësi dhe bashkëdijeni me të. Edi Rama nuk lejon ta dënojnë Gjushin. Ai, disa muaj në paraburgim, si në kohën e etërve komunistë, ia konsideron si ‘kuadro në qarkullim’.

Ndërkohë që kreu i vjedhjes së zgjedhjeve dhe betonizimit të Dyrrahut antik dërgohet në shtëpi, lideri i opozitës Sali Berisha, pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, mbahet në izolim. Shtyrja e seancës së djeshme për masën e Sali Berishës, me pretekstin se ishte e zënë me seancë tjetër, nga gjyqtarja me dy identitete Gjoka-Maneku, dhe nguti për të liruar Dakon, tregon se gjyqtarët e Ramës, as nuk fshihen më në animin e tyre të qartë politik. Njerëz të tillë do të bien bashkë me padronin e tyre. Betejë pa kthim! Mosbindje civile! O sot o kurrë! është përgjigja jonë.”


Shtuar 28.02.2024 13:37