Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi në një intervistë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, foli për protestën e sotme të opozitës.
Ajo tha se qytetarët nuk mund të ndiqen penalisht sepse protestojnë, referuar edhe deklaratës së policisë në lidhje me bllokimin e rrugëve.
“Në nje vend demokratik qytetarët lejohen të protestojnë. Të protestosh është e drejta kryesore e një shteti demokratik. Format e protestës janë të ndryshme. Dikush proteston në rrugë, në Bulevard. Nuk ka asnjë ndryshjim protesta e opozitës nga dita pa makina e Erion Veliajt në Tiranë. Protesta nuk është e dënueshme. Ajo është e kufizuar, ne kemi njoftuar organet shtetërore. Asnjë qytetar nuk mund të dënohet se proteston, kjo është një formë presioni e pushtetit”, tha ajo.
Më tej, ajo komentoi edhe ngjarjet e ndodhur në protestat e fundit dhe tha se nuk ka pasur dhunë.
“S’ka pasur dhunë. Ka pasur eksese. Molotovi është një formë e protestës, është një flakë që del e shuhet në pak sekonda. Nuk kemi djegur asnjë institucion. Mos harrojmë protestat e dhunshme të PS. Ne do protestojmë sepse kemi një Shqipëri më të varfër sot, më pak demokratike, më të korruptuar, një qeveri që kontrollon mediat, një pjesë të mirë të opinionistëve në media”, tha Çupi, teksa u ndal edhe te partitë e vogla.
“Partitë e vogla janë pa asnjë peshë lektorale, asnjëherë nuk nxjerrin deputetë, thjesht janë copëza. Janë të kompromentuar nga pushteti. Partitë opozitare ndaj PD janë krijuar gjithmonë. Është influenca e pushtetit, nuk është se kanë ndonjë peshë elektorale. Ne ftojmë edhe qytetarë të tjerë jashtë kësaj shtrese, nëse i thua vetes opozitar duhet të protestosh”, u shpreh deputetja.
Çupi konfirmoi aleancën me Partinë e Lirisë, teksa shprehu mbështetje për organet e drejtësisë në luftën ndaj korrupsionit.
“Të jemi të drejtëpërdrejtë. Unë edhe për shkak të eksperiencës, unë jam që gjithkush të hetohet. Mos të cenohet e drejta e organeve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, aty ku ka. Por kam edhe një vëmendje të shtuar për sa u përket standardeve dhe besimin që duhet ta transemtojnë organet e drejtësisë. Partia e Lirisë është aleate e opozitës dhe patjetër që nga viti 2021 ka qenë aleate”, tha ajo.