Bashkimi i territoreve në lindje dhe jug të Ukrainës me Rusinë nuk do të njihet kurrë, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Reagimi amerikan u bë pas publikimit të rezultateve të një referendumi të organizuar nga Moska në disa rajone të Ukrainës që përbëjnë 15% të territorit të Ukrainës. Perëndimi e ka quajtur referendumin një farsë.
Zyrtarët e vendosur nga Rusia në rajonin Donetsk të Ukrainës deklaruan fitoren në një referendum për bashkimin me Rusinë me mbi 99% të votave pro.Katër rajonet ku është votuar: Donetsk e Luhansk në lindje dhe Zaporizhzhia e Kherson në jug, përbëjnë rreth 15% të territorit ukrainas.
“Ne po bashkohemi me atdheun tonë të madh, me Rusinë e madhe. E kemi ëndërruar në vitin 2014 dhe kemi vepruar për këtë. Kjo është një ditë historike. Ne po bashkohemi me atdheun tonë të madh, me Rusinë e madhe”, tha pas shpalljes së rezultateve udhëheqësi i Republikës së vetshpallur të Donetskut, Denis Pushilin.
Kutitë e votimit u çuan shtëpi më shtëpi nga zyrtarët në atë që Ukraina dhe Perëndimi e dënuan si referendum farsë për të krijuar një pretekst ligjor për aneksimin e katër rajoneve dhe justifikuar kërcënimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore në mbrojtje të “integritetit territorial” të Rusisë.
Perëndimi dhe Ukraina e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do t’i njohin rezultatet e referendumit.
“Ne nuk do ta njohim kurrë aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia. Ne nuk do ta njohim kurrë aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia… Ukrainasit do të vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territorin e pushtuar. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata në këtë përpjekje”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të martën, gjatë një konference shtypi me homologun indian, Subrhamanyam Jaishankar.
“Krimi i agresionit kundër vendit tonë, farsa në territoret e pushtuara që quhet referendum nga pushtuesit, përgatitja e një përpjekjeje të re për aneksimin e territorit ukrainas, të gjitha këto janë hapa me të cilët Rusia e ka shkelur Kartën e OKB-së”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.
Presidenti ukrainas, pa dhënë detaje, tha se ka lajme të mira edhe nga fronti pasi forcat ukrainase po vazhdojnë çlirimin e tokave të pushtuara.
Ukraina ka paralajmëruar vazhdimisht se aneksimi rus i territoreve do të shkatërronte çdo mundësi për bisedime paqeje, ndërsa ukrainasit që ndihmuan Rusinë të organizonte votimet do të përballen me akuza për tradhti./VOA/