BIRN: Rakipi ndjek rrugën e Berishës, kundërshton sanksionet e SHBA-së

Ish-deputeti Aqif Rakipi do të apelojë sanksionet amerikane ndaj tij dhe djali deputet nuk do të tërhiqet nga politika, dhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cilësuan të përfshirë në krimin e organizuar, duke e përfshirë në një listë me zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë të Ballkanit Perëndimor që morën sanksione financiare dhe politike të hënën.

I biri, i zgjedhur deputet me mbështetjen e Rakipit, pa asnjë përvojë në politikë, paralajmëroi të enjten se ai do të ndjekë rrugën e ngjashme me ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Sa i takon aktit të Departamentit të Thesarit, im atë po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend këtë padrejtësi”- tha ai në Kuvend. Sipas Rakipit, vendimi i administratës amerikane jep mundësinë e apelimit dhe babai i tij do ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Po ashtu Berisha, i cili u shpall “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit qershorin e shkuar, e kundërshtoi këtë sanksion politik në një gjykatë ndërkombëtare, dhe nisi një fushatë brenda partisë deri në largimin e pasardhësit të tij pas vendimit për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Ornaldo Rakipi bëri të qartë se nuk do të linte mandatin politik, ndërsa pritet që grupi socialist të diskutojë dhe të mbajë një qëndrim politik nëse do të distancohet prej tij dhe një tjetër deputeti të të zgjedhur me mbështetjen e Aqif Rakipit.

“Unë jam votuar dhe kam marrë besimin e mijëra qytetarëve të qarkut të Tiranës”- tha Rakipi duke shtuar se zgjedhja e tij ishte që të “justifikonte besimin e tyre”.

Deputeti Rakipi akuzoi ish-kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha se ka përgojuar babain e tij dhe e cilësoi qëndrimin e të atit si “burrni”.

Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione financiare për Rakipin të hënën, duke e përshkruar atë si një “ish-deputet famëkeq nga Elbasani me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”. Sipas vendimit, Rakipi ka qenë prej kohësh ‘pjesë e krimit të organizuar dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë”.

Me mbështetjen e tij u zgjodhën 2 deputetë në listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, i biri, Ornaldo Rakipi dhe dhëndri i vëllait të tij, Saimir Hasalla./Reporter.al/