Biden e quan “të neveritshëm” sulmin ndaj shtëpisë së Pelosit

Presidenti i SHBA-së Joe Biden e ka quajtur “të neveritshëm” sulmin ndaj bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Paul Pelosi u sulmua në shtëpinë e çiftit në San Francisko më 28 tetor. Pelosi, 82 vjeç, pësoi një traumë të fortë në kokë dhe në trup, por pritet të shërohet plotësisht pas operacionit.

Duke folur në një tubim gjatë fushatës në Filadelfia, Biden tha se dhuna politike “nuk ka vend” në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar “Mjaft është mjaft”.

“Çdo person me ndërgjegje të mirë duhet të ngrihet qartë kundër dhunës në politikën tonë, pavarësisht se cila është bindja juaj politike”, tha Biden.

Ai gjithashtu iu referua raporteve të mediave se sulmuesi pyeti “Ku është Nancy”.

Policia tha se i dyshuari përdori një çekiç gjatë sulmit ndaj Pelosit. Ai është arrestuar me akuzat për vrasje në tentativë, sulm dhe akuza të tjera, thanë autoritetet në një konferencë për shtyp.

Sulmi ndodhi vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme, në të cilat krimi dhe siguria publike janë shfaqur si shqetësimet kryesore në mesin e amerikanëve.

Sulmi ngre pyetje në lidhje me sigurinë e anëtarëve të Kongresit dhe familjeve të tyre pasi kërcënimet ndaj ligjvënësve janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, dy vjet pas kryengritjes së dhunshme në Kongresin Amerikan./REL


Shtuar 30.10.2022 07:49