Teksa çdo javë i afrohemi më shumë zgjedhjeve lokale në vend, 5 mijë e 594 votues kanë marrë pjesë në sondazhin e Abcneës.al, deri në orën 22:00 të kësaj të premteje. Siç mund të shquhet qartësisht, sondazhin nga radhët e opozitës e kryeson mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, i cili renditet në vendin e parë me 24% të totalit të votave. Deputetja Jorida Tabaku vjen në vendin e dytë me rreth 20% të totalit të votave. Vendi i tret mbahet nga Belind Këlliçi me 17% ndërsa me 15% të totalit të votave në vendin e katërt është Gerti Bogdani.
Sonte i ftuar në emisionin “Log.” në ABC me Endri Xhafon ishte, mjeku Ilir Alimehmeti i cili ka komentuar këtë sondazh. Gazetari Endri Xhafo, iu drejtua Alimehmetit me pyetjen, nëse qarkullimi i emrit të tij për garën e Tiranës mundë të jetë sponsorizuar nga kundërshtarët politik, pasi e konsiderojnë atë si një nga emrat më të lehtë për t’u mundur? Por për Ilir Alimehmetin një gjë është e qartë, duke theksuar se nuk do zgjidhte kurrë të futej në një garë për t’u mundur. Duke iu referuar sondazhit të Abcneës.al, Alimehmeti theksoi se ai që është në krye të sondazheve është më i vështiri kandidat për tu mundur.
“Nuk mendoj kështu. Ndoshta e kundërta. Në jetën time nuk kam hyrë kurrë diku, për të mos fituar. Është shumë e qartë. Keni disa sondazhe. Dhe nëse dikush tjetër mund të ishte më lartë. Ai që është në krye të sondazheve nuk është më i lehti për të fituar kundër tij. Arsyeja e parë ka qenë për të hequr vëmendjen nga protesta.” tha mjeku Alimehmeti.