Berisha: Po quhen Samite, po të tilla ç’është e vërteta nuk ishin, por takime ishin.

Sali Berisha nisi fjalimin e tij me një përshëndetje të ngrohtë dhe mirënjohje të thelluara për ata që quan “luftëtarë të së vërtetës, lirisë dhe dinjitetit”.

Ai u shpreh se Samitet e Tiranës ishin në të vërtetë vetëm takime.

Berisha: Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme qëndrestare dhe qëndrestarë, luftëtarë të së vërtetës, lirisë dhe dinjiteti. Është kënaqësi e veçantë t’u përshëndes ju, të shpreh nderimin dhe mirënjohjen më të madhe për misionin tuaj, mision ndriçues i mendjes dhe zemrave të shqiptarëve. Mision i një parlamenti i të vërtetës, i cili vuan sot nga një prej propagandave më perverse, më mashtruese në Europë.

Mision, i cili përballet me regjimin më të korruptuar në Europë dhe një ndër më të korruptuarit në botë. Përballet me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Përballet po kaq me mafien ndërkombëtare në mbështetje të këtij regjimi. Por mesazhi më i rëndësishëm që ju i jepni shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo që janë, të marrim në dorë fatin tonë. Shqipërinë e shpëtojnë shqiptarët që e duan.

Shqipërinë e shpëtojnë djem, vajza, burra dhe gra, të cilët vendosin në betejë pa kthim, mosbindje civile të përballen me këtë regjim kalbësirë që është turpi i Shqipërisë, turpi i rajonit, turpi i Europës, turpi i botës.
Miqtë e mi, askush, asnjë njeri, nuk duhet të gabojë, nuk duhet të ngatërrojë gjeopolitikën me realitetin.
Gjeopolitika është një diçka që kushtëzohet nga gjeografia, natyra dhe të tjera. Kurse realiteti është diçka krejt tjetër.

Thashë këto fjalë për t’u ndalur në këto dy ditët e fundit në Tiranë. Dje dhe sot, dy takime, po quhen samite, po të tilla ç’është e vërteta nuk ishin, por takime ishin. Një takim rajonal për Ukrainën dhe një takim i Ballkanit Perëndimor për mekanizmin e rritjes rajonale.

PD ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm bashkëpunimin rajonal. Ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm ndër të parat Ukrainën, betejën e saj kundër agresionit barbar rus, betejën e saj për Europën, për mbarë popujt e lirë.
PD ka qenë dhe është promotor i proceseve integruese në Europë, në hapësirën euroatlantike dhe kjo ka qenë dhe mbetet shtyllë kryesore. Por uroj që asnjë shqiptar të mos ngatërrojë gjeostrategjinë, lustrën propagandistike me realitetin edhe të këtyre dy takimeve.


Shtuar 29.02.2024 19:56