Berisha në Paskuqan: Më 14 maj, çdo qytetar duhet të votojë kundër monizmit, të vendosim pluralizmin

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim në Paskuaqn, ku ka bërë thirrje që më 14 maj të votohet për kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Sipas Berishës, vota e tyre do të jetë kundër monizmit dhe për të vendosur pluralizimin politik në vend.

“Të dashur qytetare e qytetarë, zonja e zotërinj, vëllezër e motra, banorë të Paskuqanit, të pranishëm në këtë takim të fitores së madhe, të fitores së pluralizmit në Paskuqan, Kamzë, por edhe në mbarë Shqipërinë.

Dje unë pata një tur dhe kudo që shkova, frynte flladi i fitores.

Është nder i madh që vij sot tek ju, për të paraqitur kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, kandidatin e votës tuaj të lirë, e besimit tuaj, Arjan Hoxhën, i cili është njëkohësisht jo vetëm kandidat i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, por është kandidat i 24 partive opozitare të cilat janë bashkuar në këtë betejë për rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipërinë, përmbysjen e monizmit në qeverisjen vendore dhe ecjen e sigurtë drejt zgjedhjeve të përgjithshme, për përmbysjen e tij dhe në qeverinë qendrore.

Shqipëria përbën një nga dramat më të mëdha të një shoqërie dhe të një vendi. Kudo nga mëngjesi gjer në darkë, gjer natën vonë në bisedat tona, gjithnjë qarkullojmë vetëm shpopullimin, largimin e njerëzve, largimin e të rinjve nga ky vend, sikur të ishte një vend i mallkuar.

Si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë, vendi sot është një diktaturë reale. Po pse e them unë është një diktaturë? Është një diktaturë sepse të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë.

Sot në Shqipëri çdo pushtet, qendror dhe vendor, çdo pushtet i drejtësisë, i medieve, parlamenti, të gjitha janë në duart e një njeriu dhe kjo përbën kuptimin e vërtetë të fjalës, pushtetin më abuziv, më të rrezikshëm për vendin dhe qytetarët e këtij vendi.

Kjo përbën një diktaturë jo të bazuar në ideologji, as në besime të tjera, as në junta ushtarake, por të bazuar në një bandë, në një organizatë kriminale që qeveris vendin duke vjedhur nga mëngjesi deri në darkë. Që qeveris vendin duke i plaçkitur dhe grabitur pasuritë e tij, më shumë se çdo pushtues tjetër në çdo kohë. Që qeveris vendin duke përdorur, drogën, krimin dhe çdo mjet të paligjshëm.

Diktatura e bandës, apo diktatura e organizatave kriminale është forma më e rrezikshme më e shëmtuar e të gjitha diktaturave.

Ndaj dhe më 14 maj çdo qytetar i këtij vendi, duhet të votojë kundër monizmit, duhet të votojë që aty ku është, me votën e tij të kontribuojë që në pushtetin vendor të vendosim pluralizmin”, tha Berisha.


Shtuar 1.05.2023 20:10