Berisha: Në 14 maj votojmë të ardhmen tonë

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka prezantuar këtë të martë kandidatin për Bashkinë e Roskovecit, Erdit Hazizaj.

Gjatë fjalës së tij Berisha është shprehur se qytetarët e Roskovecit dhe mbarë Shqipërisë në datë 14 maj do të votojnë për të ardhmen e tyre.

Sipas tij e vetmja mënyrë për të ndalur boshatisjen e vendit ëhstë vota për ndryshim në datë 14 maj, për t’i thënë stop regjimit.

14 maji është një datë shumë e madhe. Është një datë në të cilën ne, vërtetë votojmë për qytetarët vendorë, por votojmë më shumë se kurrë për veten tonë, për të ardhmen tonë, votojmë më shumë se kurrë për të ardhmen e Roskovecit, të Fierit dhe mbarë Shqipërisë.

Ne jemi në këtë shesh sot në një moment kur vendi po shpërbëhet, në një moment kur Roskoveci tokë e të gjitha pasurive përrallore, vend i njerëzve punëtorë, vendi i burimeve të mëdha të naftës, i fermerëve të shkëlqyer, nuk begaton banorët e vet, nuk i prosperon ata, përkundrazi ata detyrohen të largohen, ata detyrohen të përcjellin fëmijët e vetë jashtë  vendit.

Shkojnë dhe punojnë në vende të tjera. Pse kjo, çfarë ndodh. Unë ftoj çdo socialist, çdo demokrat, çdo paparti të shtrojnë pyetjen çfarë po ndodh me ne dhe nëse shpjegojnë, i japin përgjigje të drejtë, të ndershme këtyre pyetjeve atëherë jam i sigurtë se do të marrim vendimet më të drejta.

Pse po ikin fëmijët tanë. Fëmijët tanë po ikin sepse rrogat tona janë aq të ulëta sa nuk plotësojnë dot askërkund nevojat e tyre. Pse po ikin fëmijët tanë, fëmijët tanë po ikin se shkolla, dyert e universitete praktikisht janë pothuajse të mbyllura. Pse po ikin të rinjtë tanë, po ikin sepse edhe kur marrin diplomën nuk gjejnë punë dhe e kanë diplomën vetëm si biletë për të ikur nga Shqipëria.

Pse po ikin shqiptarët? Po ikin sepse pasuritë e tyre, nafta, pyjet, minierat, ujërat janë shndërruar në një mallkim për ta. Nafta kishte rentën, akti i parë që bëri Edi Rama hoqi rentën, por renta ishte e juaja, ishte e komuniteteve lokale. Në të gjithë botën, përveç se në sistemet koloniale, renta u takon komuniteteve lokale. E hoqi, sepse e blenë sipërmarrësit e naftës.

Pse po ikin, pse ka varfëri. Ka varfëri sepse u katandisëm me rrogat më të ulëta në rajon. Nuk kemi qenë të pasur ndonjëherë, por problemi është se në vitin 2013 ne kishim rrogat më të larta në rajon dhe ajo ishte shpresë, ishte ngjitje, kurse tani na vidhisi në fund të tjerëve dhe natyrisht nuk shohin dritë në tunel njerëzit”, u shpreh Berisha.


Shtuar 18.04.2023 18:10