Berisha mesazh nga Elbasani në Ditën e Verës: Shqiptarët optimistë për ndryshimin, ja premtimi im për tre muajt e parë të qeverisjes

Këtë të premte, kryetari i PD, Sali Berisha, u ka uruar shqiptarëve nga Elbasani, Ditën e Verës, ndërsa u ka bërë thirrje që më 11 maj të ndahen nga regjimi që i varfëroi ata deri në palcë.

Berisha tha se u premton qytetarëve se në 3 muajt e parë të qeverisjes, do të zbatohet “Paketa e Dhembshurisë”, që ka në thelb, minimumin jetik 200 euro, pensione jo më pak se 200 euro.

“Ju uroj nga zemra këtë festë, më të lashtën dhe më të bukur, festën e ndërrimit të natyrës, festën e shpresës.

Dita e verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimist dhe më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit.

Kjo ditë frymëzon cdo shqiptar që më 11 maj të ndahet ngfa ky regjim që i varfëroi ata deri në palcë. Unë sot nga Elbasani u premtoj shqiptarëve se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë do të nxjerrë cdo shqiptar nga varfëria ekstreme.

Do të kenë një minimum jetik prej 200 euro. Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro, pavarësisht sa e ka sot pensionin, pavarësisht nëse ka apo jo pension, pavarësisht nëse e ka të plotë apo të pjesshëm. Do ketë një rritje 20% të pensioneve, do ketë rrogë minimale jo më pak se 500 euro, do këtë rrogë mesatare 1200 euro.

Nuk do ndalim vrapin derisa të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon”, tha Berisha.


Shtuar 14.03.2025 10:43