Berisha i fton të gjithë demokratët kritikë: Nuk është bashkim feste, por beteje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga mbledhja e kryesisë së PD diten e sotme ka ftuar të gjithë demokratët që tashme të bashkohen rreth kësaj force politike.

Në fjalën e tij, Berisha tha se bashkimi nuk është një bashkim feste, por është për betejë, ndërsa përsëriti thirrjen e tij për krijimin e qeverisë teknike.

“Unë ju drejtohem ju anëtarëve të kryesisë së PD është në detyrën tuaj më të parë si kundër të të gjithë strukturave të partisë tonë, të bëjnë gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokraten që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me ne. Asnjë nga ne nuk ka të drejtë të shohë asnjë prej tyre me sy vëngër apo me hatërmbetje apo me skepticizëm”, tha nder te tjera Sali Berisha.

Berisha: E konsideroj këtë mbledhje një mbledhje shumë të rëndësishme në një moment të vecantë të PD. Në një moment kur një kalvar i vërtetë i imponuar në mënyrë anti kushtetuese nga Rama dhe regjimi i tij merr fund dhe kryesia mblidhet sot me moton më kryesore, të bashkimit të të gjithë demokratëve rreth flamurit të partisë së tyre, dmth rreth idealeve, rreth kontributeve dhe mendoj se mesazhi kryesor që përcjell kjo mbledhje sot është mirëpritja e të gjithë atyre të cilët ndër vite dhanë kontribute të pamohueshme në këtë parti dhe që për një arsye apo për një tjetër kanë hezituar të bashkohen me shumicën duke përdorur ose duke patur si shkak çështjen e logos, flamurit të cilat si një padrejtësi e madhe morën fund këto ditë.

Ndaj dhe unë bëj thirrjen për të gjithë demokratët që besojnë në idealet që kanë mbrojtur në kontributin që kanë dhënë të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Theksoj këtu se ky nuk është një bashkim në festë, por në betejë. Në betejë të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Unë ju drejtohem ju anëtarëve të kryesisë së PD është në detyrën tuaj më të parë si kundër të të gjithë strukturave të partisë tonë, të bëjnë gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokraten që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me ne. Asnjë nga ne nuk ka të drejtë të shohë asnjë prej tyre me sy vëngër apo me hatërmbetje apo me skepticizëm. Nëse keni parasysh faktin se ky është bashkim në betejë, secili para se ti lejojë vetes skepticizmin duhet të mos harrojë se i bën një shërbim armikut tonë të përbashkët, Edi Ramës.

PD ka nevojë jo vetëm të bashkohet me të gjithë mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë me të gjithë spektrin opozitar.


Shtuar 24.06.2024 18:43

Tags: