Berisha drejt diasporës dhe emigrantëve: Ju jeni autorët e kapitullit të parë të demokracisë në Shqipëri

Kreu i Partisë Demikratike Sali Berisha gjatë fjalimit para mbështetësve mbrëmjen e sotme i’u është drejtuar diasporës dhe emigrantëve.

Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta, ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të dinjitetit njerëzor, zëdhënësve të të vërtetave të një kauze të drejtë. Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platformës të fjalës së lirë, që çdo natë shpërndajnë të vërtetat e mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët në të katër anët e dheut. Të dashur miq, sonte unë dua t’u drejtohem në emër tuaj, në emër të PD, emigrantëve dhe anëtarëve të diasporës shqiptare kudo që janë. Si fillim dua të heq mënjanë një keqkuptim si ish-president, ish-kryeministër, më duhet të them se emërtimi juaj emigrantë apo diasporë është një zvogëlim i asaj çka ju përfaqësoni në të vërtetë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Sepse rëndësia jetike që ju keni për kombin, roli që keni pasur në historinë e Shqipërisë tejkalon atë të çdo diaspore tjetër në botë. Prandaj doja që në fillim të bëja këtë sqarim. Ju përfaqësuesit e emigracionit dhe diasporës ishin zëri i vetëm i kombit shqiptar 45 vite pa zë në botë. Ju u bëtë zëdhënësit e lirisë të një kombi të shtypur dhe kontribuat me të gjithë mundësitë tuaja që diktatura të shembej. Por, historia e demokracisë shqiptare është gjithashtu një epope heronjsh dhe guximtarësh që u larguan në emigracion. Shpesh flitet për guxim epik të studentëve të dhjetorit, dhe u garantoj se ai guxim epik ishte.

Por nuk flitet aq sa duhet se ky guxim u inspirua nga rebelimi juaj epik, nga kryengritja juaj epike kur thyet Murin e Berlinit në Tiranë dhe vërshuat në oborret e ambasadave të vendeve të lira. Ju nuk jeni thjesht emigrantë ju që u larguat në ambasada. Ju ishit autorë të kapitullit të parë të demokracisë në Shqipëri. Ju ishit fitili që eksplodoi revolucionin antikomunist shqiptar. Rrezikuat asokohe 99 përqind jetën tuaj për 1 përqind shans lirie. Dhe atë 1 përqindësh e shndërruat në ëndrrën epokale të Shqipërisë për liri, dinjitet dhe demokraci.


Shtuar 24.05.2024 21:04