“Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit në Lazarat”, tha sot nga foltorja kreu i PD-së, Sali Berisha.
Teksa komenton situatën ekonomike dhe kriminalitetin në Jug të Shqipërisë, Berisha tha se Rama dhe Tahiri kanë bërë krime me operacionet e tyre anti-drogë në Lazarat.
Ai e cilësoi policinë si bandë kriminale me uniformë, që sipas tij nuk ka ngurruar të vendosë tytën e automatikut fëmijës 2-3 vjeçar, nënës që mbronte fëmijët, kryeplakut të fshatit t’i shkrehin breshëritë pse bënte detyrën.
“Unë u ktheva më i impresionuar se kurrë në 30 vite nga një vizitë, nga vizita ime në Lazarat. Çfarë konstatova aty? Në bisedimet e shkurtra, konstatova se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit në këtë fshat. Krime të vërteta me operacionin e tyre anti-drogë. Bandat kriminale me uniformë nuk kanë ngurruar të vendosin tytën e automatikut fëmijës 2-3 vjeçar, nënës që mbronte fëmijët, kryeplakut të fshatit t’i shkrehin breshëritë pse bënte detyrën. Nj terrorizëm të tillë Lazarati nuk e ka parrë kurrë në jetën e tij.
Unë i garantoj banorët se shumë shpejt do organizoj skuadra dhe grupe hetime për të mbledhur dhe evidentuar këto krime.
Edi Ramës i them se do marrë ndëshkimin e merituar për këto krime. Ne mbetemi parti e zbatimit të ligjit, por nuk mund të pranojmë kurrë brutalitete ndaj personave pa asnjë lidhje me operacionin e tyre”, tha Berisha.