Shefi i Sigurisë në Portin e Shëngjinit, Agostin Gjini është arrestuar nga policia pasi akuzohet për korrupsion.
Gjini dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës si përgjegjës i Sektorit të Arkivit dhe Protokollit në Njësinë Administrative Shëngjin ka falsifikuar dokumentet, duke tjetërsuar sipërfaqe toke në bregdetin e Shëngjinit, nga lloji i pasurisë rërë në arë.
Kanë qenë Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë të cilët kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë për shtetasin Agostin Gjinin, 56 vjeç, banues në Ishull Lezhë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve “.
Mësohet se arrestimi i tij ka ndodhur pasditen e djeshme nga Krimi Ekonomik. Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore personave të tjerë te implikuar.