Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar ndaj akuzave se sektori energjetik është shfrytëzuar për qëllime elektorale. E ftuar në emisionin Top Story, Balluku thekson se qeveria ka ruajtur një qasje të përgjegjshme në menaxhimin e sektorit energjetik, duke mohuar pretendimet e opozitës.
“Energjia është një instrument gjeopolitik dhe një mall shumë i kërkuar, sidomos në kohë krizash globale. Për të realizuar ndryshime të thella në këtë sektor, kërkohet më shumë se një mandat. Në vitin 2012, çmimi i energjisë elektrike arriti kulmin e tij, ndërsa ne nisëm një reformë që zgjati një dekadë dhe arritëm të mbajmë çmimin të pandryshuar,” tha Balluku.
Të lidhura
None found
Ajo iu referua premtimit të kryeministrit Edi Rama për uljen e çmimit të energjisë me 20%, duke sqaruar se kjo ishte një situatë e parë nga jashtë dhe se reformat kishin për qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
“Në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021, ne nuk e kemi përdorur sektorin energjetik për fushatë. Kjo është një qasje që na dallon nga opozita, e cila ka nxitur pabarazi elektorale, si Sali Berisha dilte dikur dhe thoshte “mos paguani”, ndërkohë që pjesa tjetër paguante. Partia Socialiste ka treguar përgjegjësi, nuk e ka përdorur energjinë kurrë për qëllime elektorale, ne kemi ruajtur për 1 dekadë të njëjtin çmim,” përfundoi Balluku.
