Beleri në burg, Shpëtim Idrizi: U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të mos intimidohen nga asnjë lloj shantazhi

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim Unitet, Shpëtim Idrizi ka reaguar në lidhje me gjyqin që do të zhvillohet të hënën ndaj Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg nën akuzën për vjedhje votash në Himarë, bashki ku ka dalë fitues.

Idrizi shprehet se, drejtësia të marrë parasysh ligjin dhe provat që e akuzojnë Fredi Belerin dhe se nuk duhet të intimidohet, duke iu referuar ultimatumeve dhe thirrjeve të Greqisë për lirimin e tij.

“Fredi Beleri, personi i fundit që do duhej të kandidohej si kryetar bashkie në Himarë, për turpin e atyre që e kandiduan dhe ndezën tensionet e harruara në Himarë.

I përfshirë në masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar për dhunimin e simboleve kombëtare, dalja me flamurin e republikës së Vorio – Epirit të vitit 1914 që aneksonte Jugun e Shqiperise dhe Protokollin e Korfuzit, thirrja për helenizimin e Jugut, do të ishin të mjaftueshme për institucionet e sigurisë kombëtare dhe të drejtësisë.

Fredi Bejleri është sot i akuzuar dhe me prova të pakundërshtueshme si blerës votash dhe shkatërrues i zgjedhjeve në Himarë.

Si kurrë ndonjëherë ka presion nga një shtet anëtar i BE-së si Greqia, por edhe nga një pjesë e politikës së vendit, individë të cilët duan të helmojnë marrdhëniet me gjitonin, që të mbyllin sytë organet tona të drejtësisë e të lirojnë këtë individ recidivist në krime të rënda penale.

Janë të paparanueshme vizitat e funksionarëve të lartë të shtetit grek për burgaxhiun përsëritës Fredi Beleri.

Për to kam vetem një pyetje?

Atë ligjin e luftës 83- vjeçar me Shqipërinë kur do e heqi Greqia? Apo është e zënë me vizitat speciale në burgun e Belerit?!

I bëj thirrje institucioneve tona të drejtësisë të mos intimidohen nga asnjë lloj shantazhi e ndërhyrje në punën e saj.

E vetmja gjë që duhet të marrin parasysh është ligji dhe provat që e akuzojnë këtë individ.

Në Shqipëri duhet të marrë fund njëherë e mirë kultura e shantazhit të organeve të drejtësisë nga aktorë të brendshëm a të jashtëm qofshin.

Ligji është i vetmi që duhet respektuar ndaj sot me shumë se kurrë institucionet tona duhet të jenë në respektim të rolit të tyre të rëndësishëm e të vlerësojnë vetëm provat që vërtetojnë akuzën ndaj tij”, shprehet Idrizi./albeu.com


Shtuar 19.05.2023 12:52