“Bëhuni gati për zgjedhjet”, Basha: Po na sulmojnë nga të dyja krahët se kanë frikë nga ne

Lulzim Basha ka nisur procesin e zgjedhjes së kryetarëve të degëve të forcës politike që drejton prej korrikut të vitit te kaluar. Nga Roskoveci dhe Patosi Basha deklaroi se programi për qeverisjen e vendit ka përfunduar duke u bërë apel demokratëve të bëhen gati për betejën që do të zhvillohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Data e parë e përplasjes do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Përballja e kësaj qeverie me një shumicë shqiptarësh, edhe votues socialistë që ndoshta nuk duan të futen në debatet ideologjike por që e mallkojnë Edi Ramën dhe qeverisjen e tyre sepse po ua zbraz shtëpitë, duke ua larguar fëmijët në emigracion”, tha Basha.

Sipas Bashës, PD është e vetmja forcë politike që do të sjellë ndryshimin në vend, ndaj ajo po sulmohet nga e majta dhe e djathta.

“Në Shqipëri po ndahet një herë e mirë shapi nga sheqeri! PD përbën një kërcenim të madh për këtë sistem. Ndaj furia e sulmeve që kemi përjetuar në dy vitet e fundit, që sinkronizon edhe në fjalorin që përdorin, aq sa po t’i ndrysesh zërin e të mbyllësh sytë thua që janë i njëjti person, por janë të ndryshëm që përdorin të njëjtin fjalor, kjo furi vazhdon dhe do thellohet”, tha Basha.

Lulzim Basha premtoi se PD do ta fitojë betejën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Por nëse shohim numrin e anëtareve  apo numrin e deputetëve qe ka sot Partia Socialiste, partia e drejtuar nga Sali Berisha dhe forca politike që drejton Basha;  PD e zotit Basha renditet forca e tretë politike në vend dhe mbetet për tu parë se çfarë rezultati do të arrijë ai në zgjedhjet që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.


Shtuar 4.02.2024 16:44