Maqedonia e Veriut ka një mbështetje të fortë të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në këtë organizatë. Ky është mesazhi që presidenti i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski ka marrë gjatë takimit me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Von der Leyen dhe Michel kanë vlerësuar progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit europian, duke nxitur vendin të vazhdojë më tej reformat thelbësore, si forcimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë, konsolidimi i shtetit ligjor, rritja e profesionalizimit dhe pavarësisë në administratës publike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata kanë përgëzuar presidentin e Maqedonisë së Veriut për rolin e vendit në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkëpunimin rajonal.
Por pavarësisht mbështetjes së pakursyer të institucioneve europiane dhe 26 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, ngërçi bilateral me Bullgarinë lidhur me disa elemente të zbatimit të traktatit të fqinjësisë së mirë është pengesa e vetme për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE. Krerët e institucioneve europiane janë të angazhuar për të bërë presion mbi Bullgarinë, por ky presion ka dështuar gjatë tre presidencave të mëparshme të njëpasnjëshme në krye të BE-së, Gjermanisë, Portugalisë dhe Sllovenisë.
Tashmë, në nivelin europian konsiderohet, se zgjidhja vjen vetëm nga vullneti i dy palëve për të zgjidhur çështjet e historisë, gjuhës dhe identitetit. Pala bullgare ka përcaktuar një kalendar gjashtëmujor për zgjidhjen e këtyre çështjeve, që përkon me fundin e presidencës franceze të BE-së. Presidenca franceze nga ana e saj ka shprehur përkushtimin për ta shoqëruar procesin e këtij kalendari. Zgjidhja e ngërçit bilateral do të mundësojë jo vetëm aprovimin e kuadrit negociues me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë, duke i hapur rrugë fiksimit tê një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me të dyja vendet, që shënon dhe hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit./abcnewsal