Bashkia e Durrësit ka nisur mbrëmjen e sotme një aksion për lirimin e plazheve publike nga çadrat dhe shezlongët e vendosur në mënyrë abuzive.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sako shkruan se ky operacion vjen si pjesë e masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror dhe do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit.
“Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik nisëm aksionin për lirimin e plazheve publike nga çadrat dhe shezlongët e vendosur në mënyrë abuzive nga persona të ndryshëm, duke i zaptuar këto hapësira që janë të dedikuara për të gjithë qytetarë. Aksioni për lirimin e hapësirave të plazheve publike do të vijojë përgjatë gjithë bregdetit të Durrësit. I bëjmë thirrje subjekteve apo dhe individëve të mos zaptojnë këto hapësira pasi ato i përkasin të gjithë pushuesve”, shkruan Sako.