Bashkëshortja e Zelenskyt poston mesazhin e Linda Ramës (VIDEO)

Bashkëshortja e Presidentit të Ukrainës, Olena Zelenska ka postuar në profilin e saj në rrjetet sociale një mesazh solidariteti që i është drejtuar nga gruaja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama.

Në video mesazh, znj. Rama shpreh solidaritetin e saj dhe të popullit shqiptar në lidhje me dhimbjen e madhe që po përjeton Ukraina, prej mëse dy javësh tashmë në luftë.

“Shumë e dashur Olena, unë dhe familja ime dhe i gjithë populli shqiptar, po e përjeton me dhimbje të madhe tragjedinë e vendit dhe popullit tuaj. Shqiptarët mund ta kuptojnë mirë atë c’ka po ndodh aty. Ne e dimë se cfarë mbjell lufta, kemi hapur dyert për gjysmë milionë shqiptarë të Kosovës që iknin nga shtëpitë si ukrainasit e sotëm. Ne e dimë edhe cfarë prodhon diktatura pasi jetuam diktaturën më të egër në europë.

Ne si ju jemi një komb që kemi refuzuar cdo përpjekje të huaj për të na tjetër identitetin tonë. Ne sot e dimë se demokracia është përkatësi e popujve të lirë. Ndërsa ju po ia rikujtoni botës së lirë, se kjo përkatësi ka një çmim. Që mund të jetë i lartë sa vetë jeta. Populli juaj i ka dhënë shumë botës, në histori kulturë dhe ekonomi, por sot populli juaj po i jep botës së lirë një mesazh zgjimi për kujtesën e saj të kërcënuar nga amnezia historike, një mesazh kuptimi për vlerat universale të rrezikuara nga interesat gjeopolitike, një mesazh shpëtimi për të ardhmen e saj të marrë peng prej frikës.

Një shembull rezistence për të mos rënë në kurthet e të kaluarës, një thirrje për të jetuar me pulsin e kohës me sfidat dhe ëndrrat e së ardhmes në botën që na bashkon. Heroikisht po i jepni mundësinë botës të jetë e bashkuar dhe e vendosur, për vetveten. Shumë e dashur mike e panjohur, me dhimbjen e madhe që unë e cdo nënë shqiptare ndjen për jetët e humbura, për nënat me fëmijë që ndahen nga burrat e vajzat që ndahen prej të dashurve të tyre, lus Zotin që t’ju japë forcën e madhe që ju duhet dhe uroj me zemër që triumfi i padiskutueshëm i lirisë së Ukrainës t’i kthejë sa më parë në shtëpitë e tyre ato miliona nëna me fëmijë. Me një admirim të madh për qëndresën tënde pranë burrin tënd, sebashku me fëmijët e tu të siguroj se jemi me ju deri në fund”, thuhet në mesazhin e znj. Rama./albeu.com/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Olena Zelenska (@olenazelenska_official)


Shtuar 12.03.2022 14:55