Bashkë kundër Ramës? Berisha tregon si i ka marrëdhëniet me Metën

Ish-Kryeministri Sali Berisha në një intervistë për ABC, ka folur edhe lidhur me marrëdhëniet që ka me Presidentin e vendit, Ilir Metën.

Berisha theksoi se me Metën është konsultuar vetëm si ish-President pasi Meta i ka kërkuar këshillë dhe është konsultuar me të.

Sipas Berishës, veprimet e Metës nuk kanë lidhje me fushatën politike, por me pozicionin e  tij si President i vendit.

“Unë në raport me Edi Ramën dhe çdo zyrtar apo drejtues jam thjesht qytetar. Edi Rama do largohet nga politika dhe jo vetëm nga politika dhe në ditët e fundit të jetës së tij do vuajë kompleksin e Sali Berishës. Tani për Ramën mund të themi “Rahmet pastë” dhe jo në politikë.

Ai nuk çlirohet dot nga kompleksi Sali Berisha. Ilir Meta si president për probleme të kushtetuetshmërisë ka pasur raste kur është konsultuar me mua si një ish president për probleme të kushtetuteshmërisë së vendit, por asnjë problem tjetër.

Veprimet e tij kanë lidhje me mbrojtjen e Kushtetutës dhe jo me fushatën elektorale siç thotë Edi Rama. Unë mendoj se Ilir Meta në këtë situatë politike dramatike po stërvepërmbahet. Me katastrofën që krijoi Edi Rama me pandeminë duhet të studionte me mikroskop Kushtetutën për shkarkimin e Edi Ramës”, tha Berisha. /albeu.com/

Shtuar 18.03.2021 01:03