Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është angazhuar në një marrëveshje me shoqatën kombëtare të biznesit të vogël dhe të mesëm. Në fjalën e tij, Basha tha se Partia Demokratike ka në ashtën e saj sipërmarrjen e lirë shqiptare e në veçanti sipërmarrjen e vogël e të mesme. Kreu i opozitës, këtë marrëveshje e ka quajtur një hap drejt qëllimit madhor të PD për ringritjen ekonomike, zgjimit kombëtare ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët.
Lulzim Basha tha se “është një kënaqësi dhe një nder i veçantë që ndodhem sot këtu në selinë e Partisë Demokratike në një takim që konkludon vite bashkëpunimi dhe qëndrimi krah njëri-tjetrit.
Dua t’jua them ju dhe përmes jush të gjithë sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm në Shqipëri. Për mua personalisht ka qenë një objektiv parësor që forcën politike që lindi me idealet e lirisë, demokracisë dhe tregut të lirë, Partinë Demokratike të Shqipërisë e cila lindi nga lëvizja e studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve, që ka në ashtë interesat e të përndjekurve dhe pronarëve ta ktheja po kështu edhe në forcën politike të sipërmarrjes shqiptare, të sipërmarrjes së lirë shqiptare e në veçanti të sipërmarrjes së vogël e të mesme.
Kam bindjen më të thellë se më këtë ne i bëjmë një shërbim të jashtëzakonshëm shoqërisë, i bëjmë shërbimin më të mirë ekonomisë shqiptare dhe qëllimit tonë madhor ringritjes ekonomike, zgjimit kombëtare ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët.
Në këtë afërsi që kemi gjetur me njëri-tjetrin, në fakt sa herë jemi takuar në ditët më të vështira kur jeni goditur nga represion, dhuna dhe arbitrariteti qeveritar, ju kam thënë jeni në shtëpinë tuaj. Dhe sot ju them përsëri, mirë se vini në shtëpinë tuaj! Por dua ta bëjë farë të qartë, unë nuk e di nëse jeni demokrat apo socialist, apo nëse jeni pjesëtar apo votues të partive të tjera tradicionalisht.
Unë ju ftoj në shtëpinë tuaj sepse kjo është shtëpia e sipërmarrjes së lirë. Dhe duke bërë këtë të mundur, gjatë këtyre viteve kemi realizuar edhe një objektiv parësor të familjes politike europiane të cilës i përkasim, Partisë Popullore Europiane, partisë më të madhe politike në parlamentin Europian, që drejtuesin në Komisionin Europian, kryekomisioneren Von Der Leyen që ka kryeministrat më të fuqishëm të Europës dhe për mua si kandidati për kryeministër sot dhe me përgjegjësinë e drejtimit të qeverisjes së vendit nesër, nuk ka nder dhe kënaqësi më të madhe sesa ta nisim me këtë partneritet me biznesin, me sipërmarrjen e në veçanti me sipërmarrjen e vogël e të mesme që përbën 98.5% të sipërmarrjes shqiptare.
Ju jeni një pasuri, një thesar, ju jeni forca që lëvizi vendin më të varfër të Europës në vitet 90’ nga një varfëri ekstreme që mund të krahasohej vetëm me vendet më të varfra të Afrikës. Ju jeni pra shpirti i sipërmarrjes, shpirti i lëvizjes përpara të shoqërisë.”