Basha me demokratët e Tiranës: Jemi partia e shqiptarëve, gjithçka e bëjmë për ju!

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një takim me demoktatët e Tiranës, foli për zgjedhjet e 25 prilli, ku theksoi edhe një herë se ajo datë ishte masakër zgjedhore.

Basha tha se, PD është partia e shqiptarëve dhe gjithçka bëhet për ta.

“Dega 5, Tirana dhe e gjithë Shqipëria, demokratët dolën në këtë betejë me njerëz të vlerave, me program, me vizion, me bashkim. Përballë kishim njerëzit e antivlerave, ikonat e korrupsionit dhe të krimit, lista të diktuara jo nga Partia Socialiste por nga krerët e kartelëve të drogës, nga oligarkët dhe shërbëtorët e tyre. Përballë kishim thasët me para të taksave të shqiptarëve pra, të buxhetit të shtetit të abuzuar në mënyrën më të kundraligjshme me të gjitha format dhe mënyrat që mund të përfytyronim madje edhe mënyrat që si kishim përfytyruar më parë që nga legalizimet për vota, tek ndërtimet pa leje për vota, tek përdorimi i infrastrukturës së asistencës sociale apo pensioneve apo dhe vetë ambulancave për shpërndarjen e parave për votat tek paralizimi në rastin më të mirë i policisë për të parandaluar krimin bashkë me prokurorinë dhe rastin më të keq përdorimi i tyre për të mbuluar apo mbrojtur kryesinë dhe autorin e krimeve zgjedhore përballë pra, këtyre antivlerave, ju demokratët e degës 5, demokratët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë u përgjigjët vetëm me vlera.

Në bindjen time fakti që shqiptarët na ndoqën përkundër kësaj masakre zgjedhore nuk qëndron tek vetëm këto 3, por qëndron mbi të gjitha tek i njëjti faktorë që për mua diferencon partinë demokratike nga simotrat e zhdukura apo në prag të zhdukjes dhe ky është fakti që ne nuk kemi bërë asnjë çast kompromis me të keqen. Ky është fakti që ne kemi vite që bëjmë betejë me të keqen, ky është fakti që ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë para të këqes dhe nuk kemi pranuar të bëhemi fasadë e saj.

Ky është fakti që shqiptarët na besuan, sepse besuan se përmes sakrificave dhe betejave që na çuan tek beteja e 25 prillit, përballë kishin njerëz që këtë betejë nuk po e bënin as për karrigen time, as për karriget tuaja, por po e bënin për të njëjtën arsye që lindëm, për të njëjtën arsye që jemi, e që dolëm nga kjo masakër më të fortë e më të mëdhenj, e për të njëjtën arsye që do të vazhdojmë e do të jemi e do të fitojmë sepse jemi parti e shqiptarëve dhe për shqiptarët. Jemi parti e shqiptarëve dhe për shqiptarët, gjithçka që e bëjmë, e bëjmë për ta”, tha Basha./albeu.com