Basha: Më 11 dhjetor do ketë demokratë të çoroditur, ftoj Berishën të vijë në Kuvendin e datës 18

Kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh në “Opinion” se thelbi i bisedës me zv.Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit ishte mbështetja e pakushtëzuar e SHBA dhe DASH për Partinë Demokratike.

Basha u shpreh se nuk ka ndërmend të komentojë një vendim të Qeverisë së SHBA lidhur me shpalljen “non grata”.

“Unë dhe paraardhësi im, Sali Berisha kemi mbështetur largimin nga politika të atyre që shpalleshin “non grata”. Kur na cënohet interesi personal ne shpifim dhe i ikim të vërtetës”, tha Basha.

I pyetur nëse do të njohë vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, Basha tha se “demokratët duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë regjimit të korruptuar të Edi Ramës”.

“Jam në krye të betejës për të përmbysur regjimin, nuk mund të vijmë në pushtet duke gënjyer. Sali Berisha ka gënjyer dhe mashtruar për interesat e tij, jam këtu për ti thënë shqiptarëve se askush nuk do të bëhet fli për interesat e askujt.

Në 11 dhjetor nuk ka Kuvend, por një tubim, ku mund të ketë edhe demokratë të çoroditur apo të mashtruar. Trekëndëshi i Bermudës ka interes të përçajë PD. Më 18 dhjetor është Kuvendi Kombëtar i PD, aty duhet të përballen gjithë demokratët. Sali Berisha të vijë në Kuvendin e 18 dhjetorit, më 11 dhjetor është tubi i oksigjenit të Edi Ramës”, tha Basha.

Ai tha se demokratët janë të bashkuar kundër regjimit të Edi Ramës.


Shtuar 9.12.2021 23:43