Basha dhe Berisha “përplasin brirët”, njëri në Fier e tjetri në Shkodër zhvillojnë takime me bazën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha këtë të diel do të dalin të dy në terren për t’u takuar me bazën e partisë.

Mësohet se Berisha do të jetë në Shkodër, kurse Basha në Fier. Ndonëse në qytete të ndryshme të dy do të zhvillojnë takime me demokratët në të njëjtën orë, në 11:00.

Pas protestës së dhunshme më 8 janar në selinë blu, Basha ndëshkoi 28 anëtarët e Komisionit të Rithemelit të PD, strukturë e ngritur nga Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor nga Berisha, për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja, por që nuk njihet nga kryetari Basha dhe institucionet e kësaj partie.

Përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti.

Protesta e dhunshme e 8 janarit u kthye në një “perde të hekurt” mes Bashës e Berishës dhe mbështetësve të tyre.

Akuzat pas asaj ngjarjeje të rëndë u përshkallëzuan dhe tani duket se konflikti do të zhvillohet në antarësinë demokrate, për të grumbulluar mbështetjen e sa më shumë demokratëve./albeu.com/