Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka dhënë detaje të reja nga megaoperacioni i policisë mbrëmjen e sotme, i cili u shtri në disa qytetete, ku solli arrestimin e shefit të policisë së Kurbinit, Dritan metaj, si dhe kontrolle në banesën dhe bizneset e të shumëkërkuarit Gëzim Çela.
Hoxha i ftur në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka shpjeguar “karrierën” kriminale të Gëzim Çelës, për kapjen e të cilit u angazhua edhe DEA dhe FRONTEX, pasi dyshohet se ai ka qenë pjesë e trafikut të 2.5 tonëve kokainë.
“Gëzim Çela ka histori të gjatë me ligjin në Shqipëri. Është akuzuar edhe si ish shoqërues i kryeministrit të majtë në atë kohë, është akuzuar nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni, trafik lëndësh narkotike dhe vrasjen e dy karabinierëve italianë. Grupi kishte 14 shqiptarë, 4 italianë dhe një ukrainas. Ai u arrestua në Shqipëri, ishte dënuar në vitin 2003 me 11 vite burg. U konvertua në Shqipëri dënimi dhe arriti ta bindë gjykatën që vuante nga sëmundje e pashërueshme. Për këtë shkak gjykata e liroi. Pasi doli nga burgu, nuk u kap më.
Në 2006, ky u dënua me 6 vite burg për trafik heroine. Ka dalë nga burgu në shtator 2012. Turqia e ka sjellë në Rinas. Sapo ka ardhur e ka arrestua drejtësia shqiptare. Nuk e di në çfarë rrethanash doli, por doli.
Ky personazh, edhe emrin e ka baroni i drogës dhe i ka shpëtuar drejtësisë. Gëzim Çela ka qenë efektiv i forcave speciale. Është dënuar në Itali, Turqi, Shqipëri. Dhe doli.
Në 2014, bëhet një operacion tjetër, u kap 7kg kokainë. Ai ishte korrieri që e transportonte nga laboratori në Kosovë, në laboratorin në Fushë Kuqe. Në Kosovë u kap kimistja, “tezja e kokainës”. Në Shqipëri, gjatë kontrollit që u bë në banesën e Çelës, u gjet heroinë, kanabis, lëndë kimike që përdoret për kokainën. U akuzua se kishte krijuar rrjet që niste nga SHBA, Turqi, Kosovë. Kishte laborator në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ky ka qenë i specializuar për trafikun e heroinës, gjatë rrugës është futur edhe te kokaina. Çela është dënuar me 18 vite burg, por nuk është kapur, ka vijuar aktivitetin e tij. Ai ka qenë i përfshirë në fushata elektorale. Ka qenë në një vaki, me shumë njerëz atje. Është njeri me shumë lidhje të forta, prandaj ka qenë i vështirë për tu kapur“, tha ndër të tjera Hoxha.